Përballja mes Argjentinës dhe Brazilit mbetet gjithnjë një “Klasike” jo vetëm e Amerikës së Jugut, por në të gjithë botën. Pavarësisht se Brazili e ka siguruar biletën për në Botërorin e vitit 2022, ndërsa Argjentina vetëm matematikisht akoma, kjo nuk i heq asgjë sharmit të kësaj sfide.

Dhe trajneri i Argjentinës, Lionel Skaloni, nuk ka ndërmend të kursejë askënd për këtë përballje të madhe. Madje, edhe Lionel Mesi, i cili vjen nga disa shqetësime me ekipin e tij, PSG-në, pritet të jetë në fushë. Të paktën kështu ka deklaruar trajneri i Argjentinës, i cili ka çelur një tjetër front lufte me Paris SG-në:

“Mesi ishte në gjendje të mirë edhe për takimin me Uruguain, por në fund vendosëm se ishte më mirë të mos ishte titullar, ndaj e futëm 15 minuta. Për takimin me Brazilin është e konfirmuar se do të jetë në fushë dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë e të na japë një dorë”, u shpreh Skaloni.

Argjentinë-Brazil vjen kur ende nuk është mësuar fati i sfidës së parë, kur autoritetet shëndetësore braziliane hynë në fushë dhe ndërprenë ndeshjen pasi 4 futbollistë argjentinas kishin shkelur rregullat e lëvizjes anti-covid.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb