TIRANË- Këshilli i Lartë i Drejtësisë i cilëson deklaratat e kryeministrit Rama dhe ministrit Tahiri për gjyqtarin Arjan Aliaj, si një kërcënim të hapur ndaj të gjithë trupës gjyqësore.

Në një deklaratë për mediat, KLD thekson se “deklarime të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje”.

REAGIMI I PLOTE I KLD

Sot, Kryeministri z. Edi Rama, ashtu si dhe ministri i Punëve të Brendshme z. Saimir Tahiri përdorën një arsenal të padenjë fjalësh ndaj një gjyqtari, për “gabimin” e tij të vetëm se gjatë ushtrimit të detyrës së tij, kishte miratuar kërkesën e prokurorit, për dhënien e masës së pezullimit nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ky reagim, pasuar nga një fjalor i papërshtatshëm, kur artikulohet nga një Kryeministër dhe një ministër i Punëve të Brendshme, është një kërcënim i hapur ndaj, jo vetëm këtij gjyqtari që dje dha një vendim, por një kërcënim ndaj të gjithë trupës gjyqësore.

Deklarimet të tilla, të përcjella me një intensitet të tillë, në një moment të papërshtatshëm, për stadin në të cilën është procesi i miratimit të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, jep mesazhin, përkundër pritshmërive, që kjo reformë mund të jetë vetëm një fasadë e dalë boje.

Sjellja e sotme tregon qartë, se në të parin moment, që përfaqësues apo eksponentë të qeverisë u “atakuan” nga një vendim gjykate, i cili për më tepër është i ankimueshëm, u kalua në një turravrap përdhosjesh, poshtërimesh dhe kërcënimesh, ç’ka të ul pritshmërinë se Reforma në Drejtësi po kërkohet me aq ngulm, jo për nevojën që ka sistemi i drejtësisë me brishtësinë e tij për konsolidim, por për të kontrolluar politikisht këtë sistem.

Në respekt të opinionit publik, e informojmë se gjyqtari Arjan Aliaj, është rikthyer më parë në sistemin e drejtësisë, me vendimin e KLD nr. 256 datë 02.12.2009, në zbatim të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nr. 11, datë 02.04.2003.

Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë, i kërkon Kryeministrit të vendit, funksionarëve të tjerë të lartë ose jo, por dhe kujtdo, që ushtron apo parashikon të ushtrojë ndikim, presion apo kërcënim, ndaj gjyqtarëve a trupës gjyqësore në tërësi, ta ndalojë menjëherë, ndikimin, presionin apo kërcënimin, sepse kjo është dëmi më i madh që mund t’i bëhet themeleve të shtetit të së drejtës, dëmi më i madh që mund t’i bëhet aspiratave të vendit për integrimin evropian.

Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke mos u ndikuar nga asnjë lloj ndërhyrje dhe kërcënimi në ushtrimin e detyrës, duke garantuar kështu funksionimin e shtetit të së drejtës, ashtu si dhe duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, dhe garantimin kurdoherë të një transparence dhe përgjegjshmërie maksimale në përmbushjen e detyrave.

UNIONI I GJYQTAREVE: QENDRIMI I TAHIRIT ASPAK ETIK

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar pas deklaratave të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për gjyqtarin Arjan Aliaj që dha vendimin e pezullimit të Drejtorit të Policisë Haki Çako.

Me anë të një deklarate për mediat, UGJSH shprehet e indinjuar, duke e etiketuar qëndrimin e Tahirit si aspak etik dhe madje në kufijtë e konsumimit të disa veprave penale.

“Unioni i Gjyqtarëve ka ndjekur me vëmendje deklaratën e paprecedente në media dhe reagimin aspak etik dhe insititucional të Ministrit të Brendshëm, ndaj Gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë Z. Arjan Aliaj, i cili gjatë ushtrimit të detyrës kushtetuese, me kërkesë të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka caktuar ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit masa sigurimi personal në funksion të një procedimi penal të Në mënyrë të përsëritur dëshirojmë të theksojme se UGJSH mirëpret dhe inkurajon çdo kritikë ndaj gjyqtarëve dhe punës së tyre, kur këto kritika janë brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore, të cilat kanë për qëllim t’i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës”, thuhet në deklaratë.

Por, nga ana tjetër UGJSH shpreh ‘shqetesimin e tij të thellë kur sheh se i njëjti përfaqësues i politikës dhe ekzekutivit në mënyrë të përsëritur, bën deklarata dhe ndërmerr reagime, të cilat nuk kanë për qëllim forcimin e pavarësisë së vendimarrjes së gjykatave dhe forcimin e parimeve themelore të funksionimit të shtetit ligjor’.

UGJSH vëren se përsëritja e sjelljeve të tilla ka intimiduar gjithë trupën gjyqësore dhe e ka vendosur nën një presion sistematik gjatë ushtrimit të detyrës konform Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve.

“Këto deklarata dhe sjellje të papranueshme, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës dhe qeverisjen demokratike, vishen nën petkun e një aspirate madhore që është “Reforma në drejtësi’, duke mos patur aspak lidhje me reformën e aspiruar prej Shqiptarëve dhe mbështetur fuqimisht prej Ambasadorëve, vecanërisht nga Z. Lu dhe Znj. Vlahutin. Prandaj, gjejmë rastin të kërkojmë prej tyre që të tregohen të vëmëndshëm dhe të mbajnë qëndrimin e duhur ndaj deklaratave dhe sjelljeve të tilla, të cilat nuk kanë aspak lidhje me shtetin e së drejtës, parimet themelore të funksionimit të shtetit, apo reformën në Republika e Shqipërisë është një republikë parlamentare, ku ndarja e pushteteve e sanksionuar qartësisht në Kushtetute, është një ndër shtyllat kryesore, mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron demokracia jonë parlamentare dhe zhvillohet shoqëria jonë”, deklaron UGJSH.

Unioni sqaron se në këtë kuadër kushtetues funksionon edhe sistemi gjyqësor dhe ushtrohet vendimarrja nga gjykatat. “Është ky kuadër kushtetues dhe ligjor, sipas të cilit janë përcaktuar saktë subjektet, koha dhe mënyrat e kontrollit të një vendimi gjyqësor, i cili kursesi nuk lejon përfaqësues të pushteteve të tjera të anatemojne vendimet e gjykatave e aq me keq, të kërkojnë ndëshkimin e gjyqtarëve”, thuhet më tej.

UGJSH deklaron se çdo veprim i kujtdo qoftë, që shmanget nga kuadri kushtetues dhe ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, jo vetem që nuk i shërben forcimit të shtetit ligjor, por përkundrazi, është një hap prapa për pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe forcimin e shtetit të së drejtës.

“Për më tepër, duhet përmendur fakti se sjellje të tilla, të cilat pretendohet se janë në funksion të respektimit të ligjit, janë krejtësisht të kundraligjshme, në kufijtë e konsumimit të disa veprave penale të parashikuara prej Kodit Penal. Së fundmi UGJSH dëshiron të theksojë edhe një herë angazhimin e tij maksimal kundër çdo fenomeni antiligjor të vërejtur në punën e përditshme të gjykatave, sikurse dhe angazhimin e tij të plotë në mbrojtje të 1 parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend”, përfundon deklarata e Bordit Drejtues të Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë.

GJYKATA E TIRANËS: QASJE TË TILLA DENIGRUESE DHE RETORIKA NEGATIVE DËMTOJNË RËNDË IMAZHIN E GJYQËSORIT
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka reaguar pas akuzave të sotme të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për gjyqtarin Arjan Aliaj. Gati në të njëjtin qëndrim me Uninionin e Gjyqtarëve të Shqipërisë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e quan deklaratën e Tahirit fyese dhe denigruese dhe se cenon pavarësinë dhe integritetin e gjykatës dhe gjyqtarit.

DEKLARATA E PLOTË E GJYKATËS
Ditën e Hëne me dt. 06.06.2016 gjyqtari i kësaj Gjykate Z. Arjan Aliaj si gjyqtar i gatshëm në ushtrim të detyrimeve të tij ligjore ka shqyrtuar kërkesën me karakter urgjent të organit të akuzës Prokuroria e Rrethit Tiranë me objekt caktimin e masës ndaluese pezullim nga detyra për shtetasin Haki Çako dhe masat shtrënguese “arrest në shtëpi” për shtetasit Artion Duka dhe Entiol Xhelilaj të dyshuar për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, të parashikuara nga nenet 248 dhe 301 të Kodit Penal te Republikës së Shqipërisë.

Ndaj këtyre vendimeve palët kanë të drejtë të bëjnë ankim brenda afatit pranë Gjykatës e Apelit Tiranë i cili është i vetmi organ që ka të drejtën e kontrollit gjyqësor vendimeve te gjykatës.
Në këtë kontekst, deklarata e Ministrit të Brendshëm Tahiri sot me dt. 08.06.2016 i cili fyen dhe denigron gjyqtarin Arjan Aliaj vetëm se ky gjyqtar në ushtrim te funksioneve dhe detyrimeve te tij ligjore dhe kushtetuese ka pranuar kërkesën e cituar më lart të organit të Prokurorisë përbën cenim të Pavarësisë dhe Integritetit të Gjykatës dhe gjyqtarit.

Gjyqtari Arjan Aliaj është rikthyer në funksionin e gjyqtarit në këtë gjykatë me Vendimin Nr. 256 dt. 02.12.2009 në zbatim të Vendimit Nr. 11 dt. 02.04.2003 të Gjykatës Kushtetuese të RSH.
Qasje të tilla denigruese dhe retorika negative ndaj gjyqtareve dhe gjyqësorit në përgjithësi dëmtojnë rëndë imazhin e gjyqësorit dhe nuk i shërbejnë rritjes së besimit të publikut tek gjykatat, forcimit të pavarësisë së gjykatave, forcimit të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës.

Një nga parimet themelore të funksionimit të shtetit të së drejtës është sanksionuar dhe ne Kushtetutën e RSH Neni 145 sipas të cilit:
“1. Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve……..
3. Ndërhyrja në veprimtarinë e gjykatave ose të gjyqtarëve pasjellë përgjegjësi sipas ligjit.”
Çdo sulm i kësaj natyre është tejet shqetësues, përbën intimidim të trupës gjyqësore dhe ndërhyrje në procesin e rregullt ligjor si dhe shkelje te vetë detyrimeve ligjore e Kushtetuese të funksionarëve të larte shtetërore.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe gjyqtarët e saj janë të vendosur për zbatimin e ligjit dhe të angazhuar për shtetin ligjor në Shqipëri. Kjo gjykatë në mënyrë të vazhdueshme ka mbështetur iniciativën për një reforme pozitive në gjyqësor dhe vazhdon te kontribuojë për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Duke shprehur vendosmërinë dhe angazhimin tonë të plotë për sundimin e ligjit dhe një proces të rregullt ligjor, bëjmë thirrje për të shmangur çdo qëndrim paragjykues dhe denigrues ndaj këtij procesi, gjyqtarit konkret, dhe punës e misionit të Gjykatës në përgjithësi.

PROKURORËT: KLIMA E SHANTAZHIT, JASHTË LOGJIKËS SË FUNKSIONIMIT NORMAL TË INSTITUCIONEVE
Pas Unionit të Gjyqtarëve dhe Gjykatës së Tiranës një tjetër reagim ka ardhur për deklaratat e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Unioni i Prokurorëve të Republikës se Shqipërisë (UPRSH) shpreh shqetësimin sipas tij, për insinuatat që shkojnë deri në nivelin e sulmeve personale ndaj anëtarëve të tij dhe ndaj funksionarëve të drejtësisë në tërësi.

UPRSH vlerëson se të tilla insinuata për të paraqitur prokurorët si palë me njërën ose tjetrën forcë politike sa herë që fillojnë procedime penale apo kryhen hetime paraprake për funksionarë apo ish-funksionarë të lartë të shtetit shqiptar, nuk janë në të njëjtën valë me kërkesat për një reformë të drejtë në drejtësi, reformë që si perceptohet nga anëtarët e këtij unioni nga leximet e qëndrimeve të partnerëve evropianë dhe amerikanë, do të duhet të sjellë pavarësi të vërtetë të sistemit të drejtësisë nga politika dhe përfundimin e asaj që artikulohet si ‘koha e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojë’.

“Ne besojmë se deklarata akuzatore përgjithësuese nuk i shërbejnë aspak klimës bashkëpunuese ndërmjet institucioneve ligjzbatuese dhe forcimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Klima e shantazhit dhe presionit publik ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve është jashtë logjikës së funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe kjo mënyrë komunikimi ndikon negativisht në luftën e përbashkët kundër kriminalitetit”, deklaron UPRSH.

UPRSH i bën thirrje të gjithë partnerëve ndërkombëtarë për të moslejuar ndikimin e politikës që për arsyet e saj të ushtroje presion të çdo lloj forme apo natyre mbi punën e përditshme të prokurorëve anëtarë të unionit dhe jo vetëm.

“Të vetëdijshëm se detyra e prokurorit në Republikën e Shqipërisë është një detyrë e vështirë, kërkojmë me forcë mbështetjen e shtetit shqiptar, pjesë të të cilit jemi, për të kryer detyrën të pandikuar, pa presione politike dhe pa u shantazhuar në emër të Reformës në Drejtësi”, thuhet në reagim.

Më tej deklarohet se UPRSH ka qenë pjesë aktive e diskutimeve të natyrës teknike për sa kohë që diskutimet mbi reformën lidhur me formën e përmbajtjen e saj ishin në duart e ekspertëve të nivelit të lartë shqiptare dhe ndërkombëtare, ekspertë që kanë gjithë vlerësimin e UPRSH. “Në kohën kur diskutimet mbi reformën në drejtësi kaluan në nivel politik, konstatojmë  me keqardhje se as ekspertët dhe as funksionarët e drejtësisë nuk konsiderohen më si pjesë e zgjidhjes dhe e bërjes së reformës. Në përfundim të këtij reagimi kërkojmë edhe një herë me forcë që drejtësia të lihet e qetë, që prokurorët të jenë të lirë të hetojnë si bëjnë çdo ditë në bashkëpunim me oficerët e policisë gjyqësore të policisë së shtetit, doganave, tatimeve dhe institucionet e tjera shtetërore”, përfundon UPRSH.

(m.k/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: