TIRANË- Jo vetëm policia dhe FNSH, por edhe shërbimi i inteligjencës prej disa ditësh janë ngritur në këmbë për të kapur Klemant Balilin, të etiketuar si “Eskobari i Ballkanit”, pasi drejtësia shqiptare e shpalli në kërkim.

Ndërsa dje u fol se SHISH kishte shpërndarë informatorë në çdo cep të Tiranës, ku dyshohej se mund të ishte fshehur Balili, që në orët e para të mëngjesit janë parë forca të shumta të policisë dhe FNSH-së në Sarandë e fshatrat përreth.

Policia ka bërë kontrolle në banesa dhe biznese në fshatrat Vrion e SMT.

Po ashtu bëhet me dije se në komisariatin e policisë së Sarandës ndodhen drejtues të policisë nga Tirana e Vlora.

Më 11 dhjetor policia kontrolloi edhe banesën e Balilit, aty ku arrestoi një tjetër person, si dhe gjeti 2 armë, por jo të shumëkërkuarin, ndërsa pak ditë pas këtij operacioni SHKB nisi hetimet për dekonspirim në të paktën 3 operacione për kapjen e tij. Tre janë efektivët të cilët janë pezulluar nga puna deri në përfundim të hetimeve, ndërsa Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm mbetet i rezervuar në dhënien e informacioneve për këtë çështje.

44-vjeçari Klement Balili akuzohet për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Greqi e po ashtu edhe me vendet e BE-së. Hetimet nga shteti fqinj, thonë se Balili mund të ketë ndryshuar emër, por nuk përjashtohet as mundësia që të ketë ndryshuar pamjen e jashtme.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb