ANKARA -Kreu i Drejtorisë së Çështjeve Fetare, Mehmet Gormez, me të cilin Papa Francesku u lut në xhaminë e madhe të Stambollit, i ka cilësuar si të pamoralshme komentet e Bergoljos se vrasja masive e armenëve në vitin 1915 ishte genocidi i parë i shekullit XX.

Gormez theksoi se: “Nëse japim të gjithë llogari për vuajtjet dhe dhimbjet e shkaktuara në të kaluarën, Vatikani do të dalë humbësi më i madh. Deklarata e Papës është e pamoralshme dhe nuk pajtohet me vlerat bazë të Krishtërimit”. Para 100-vjetorit të masakrave në Luftën e Parë Botërore të ushtrisë osmane, të premten më 24 prill, Gjermania pritet t’i bashkohet Francës dhe Parlamentit Europian në përdorimin e termit “genocid”, që kundërshtohet me forcë nga Turqia, sipas të cilës nuk ka pasur fushatë të organizuar për zhdukjen e armenëve.
Por pas reagimeve të ashpra nga Presidenti Rexhep Erdogan pas deklaratës së Papa Françeskut, kryeministri Ahmet Dautollu, në përpjekje për të zbutur tonet, lëshoi një deklaratë ku tha armenët e Perandorisë Osmane do të përkujtoheshin në një ceremoni fetare të premten në Patriarkatën Armene në Stamboll, duke e quajtur këtë një detyrë historike dhe njerëzore të Turqisë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: