TIRANE

Gjykata e Tiranës caktoi masën detyrim paraqitje për ish-deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu dhe tre qytetarëve të tjerë  të cilët prej 7 muajsh kanë protestuar kundër prishjes së banesave të tyre në zonën e unazës së madhe.

Prokurori Gjergji Tako kërkoi arrest shtëpie për Balliun me argumentin se ka marr pjesë në një protestë të paligjshme dhe ka lënduar në shpatull një punonjës policie në tentativë për të dalë nga furgoni i policisë në momentin që po shoqërohej në komisariat.

Ndërkohë për tre banorët e tjerë u kërkua masa e arrestit me burg sepse sipas Prokurorisë kanë kryer veprime të dhunshme ndaj forcave të policisë, konkretisht nga pamjet filmike të realizuara nga policët me celularë shfaqen tre të dyshuarit Lulzim Marqinaj duke goditur policinë me tabela te sinjalistikes, Seit Hajdarasi duke goditur policinë me gurë dhe Elton Skënderi duke  goditur me grusht një punonjës policie.

Klevis Balliu u arrestua dy ditë më parë nga policia e Tiranës së bashku me 3 persona të tjerë, pasi ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama që do të vizitonte një biznes në zone. Ish-deputeti demokrat u përplas gjatë protestës me efektivët blu, kur këta të fundit filluan të shoqëronin banorët që kishin bllokuar rrugën.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb