Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu pak orë pas lirimit nga gjykata është kthyer sërish te “Astiri”, duke iu bashkuar protestës së banorëve.

Ai tha se nuk frikësohet dhe se do të vijojë të mbështesë kauzën e këtyre banorëve.

Të dashur heronj të Unazës së Re, më lejoni që t’ju falënderoj nga thellësia e zemrës në emrin tim dhe të familjes sime, për mbështetjen që më keni dhënë. Dua t’iu falënderoj ju, kolegët e mi deputetë të Partisë Demokratike dhe aleatëve Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe lidershipin e PD dhe LSI për mbështetjen që dhanë në këtë kohë, gjatë këtyre ditëve.

Jam këtu sot për t’iu garantuar se për ju jo dy ditë, por edhe dy mijë ditë janë pak 2 mijë ditë për kauzën tuaj. Edi Rama bashkë me pinjollët e tij të Rilindjes, si revania që së shpejti do të bëhet hallvë ky drejtori i Saimir Tahirit, i atij të cilit kanabizoi vendin, Edi Rama dhe pinjollët e tij janë në ditët e tyre të fundit dhe është pikërisht kjo arsyeja përse tani janë më të dhunshëm me qytetarët e lirë të këtij vendi.

Por ata të jenë më se të garantuar se nuk ka burrë që na ndal, se nuk kemi asnjë frikë të dalim në Unazë. Nuk frikësohemi ne me shoqërime, nuk frikësohemi ne me arrestime, vetëm Zoti mund të na ndalojë, vetëm ai mund të na ndalojë, por Edi Rama, Rilindja, arrestimet, shoqërimet e tyre nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se na bëjnë më të fortë, më të bashkuar, me të gjithë qytetarët shqiptarë. Edvin, siç e pe dhe vetë ti dhe shoqëria jote e mbaruar, ti nuk mban dot një takim e jo më të kesh bythë e të hysh te Unaza e Re për të prishur shtëpitë.

Të nderuar heronj të Unazës, bashkë me mua u arrestuan edhe 3 persona të tjerë Seiti, Luli dhe Toni, tre heronj të cilët u përgjigjën dhe u përballën si asnjëherë tjetër me një dhunë të organizuar dhe të inskenuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Tani do t’i bëj një thirrje çdo institucioni ndërkombëtar, që të ngrihet dhe të thotë një fjalë. Ky kryeministër kalon natën duke menduar sesi të dhunojë qytetarët me gaz lotsjellës apo me shkopa druri apo me FNSH, me forca speciale, apo ku di unë. Të ngrihen dhe të thonë një fjalë për dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi.

PD udhëhiqet nga virtyte si drejtësia, vlera si demokracia dhe mbi të gjitha vlera dhe tradita e çdo shqiptari që është besa. Partia Demokratike iu ka dhënë besën qytetarëve shqiptarë që do i mbrojë ato nga dhuna dhe korrupsioni i Edi Ramës. Të jeni më se të sigurt se si unë dhe çdo koleg tjetër i opozitës do të përballen njësoj si ju me këdo që guxon t’iu dhunojë juve. Të jeni më të sigurt se bashkimi ynë kombëtar që do të ngulmojë më 11 maj si asnjëherë tjetër do të jetë një uragan i pandalshëm që do të diskretitoj Rilindjen e korruptuar të Edi Ramës.
Në këtë vend të bekuar nga Zoti dhe të mallkuar nga Rilindja nuk ka vend për të gjithë. Këtu ka vend për patriot, me njerëz që kanë punuar me djersën e ballit e jo për njerëz që kanë vjedhur dhe janë zhytur në korrupsion. Nuk ka vend këtu për tradhtarë që duan të shesin tokat tona. Të jeni të sigurt se këtu do qëndrojnë shqiptarët dhe tradhtarët si Edvinoviçi do të zhduken në azil politik
“,- tha Baliu.

Mësditën e sotme Gjykata e Tiranës dha masën “detyrim paraqitje” për akuzat: “Kundërshtim me dhunë të punonjësve të policisë”, “prishje e qetësisë publike” dhe “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, të cilat Balliu nuk i ka pranuar.

Klevis Balliu u arrestua dy ditë më parë nga policia e Tiranës së bashku me 3 persona të tjerë, pasi ishte në mbështetje të banorëve të Unazës së Re, të cilët kishin dalë për të protestuar kundër kryeministrit Edi Rama që do të vizitonte një biznes në zone.

Ish-deputeti demokrat u përplas gjatë protestës me efektivët blu, kur këta të fundit filluan të shoqëronin banorët që kishin bllokuar rrugën. Balliu u shoqërua me furgonin e policisë për t’u dërguar në Komisariatin nr. 6 dhe më pas në drejtorinë e policisë së Tiranës ku iu komunikua arrestimi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb