Ish-deputeti i PD-së Klevis Balliu, në një intervistë në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se shkarkimi i presidentit Meta ishte puç antikushtetutes.

“Shkarkimi i presidentit është puç antikushtetues. Ky parlament nuk është legjitim. Akuzat për presidentin janë se ka përdorur tone të ashpra në artikulime, por, por presidenti ngriti tonet që të mbrojë votën e lirë. Presidenca ngriti denoncime dhe ngriti tonet për të mbrojtur votën e lirë, kjo është për ta falënderuar.  Rama mbyll kontratat me qytetarët me bandat dhe lidhjet që ka me krimin, këto janë faktet e pamohueshme”, tha Balliu.

Klevis Balliu nënvizoi se PD do të bëjë analizë për situatën ku ndodhet.

“PD do marrë vendim për këtë, nuk është bërë ende analiza, do bëhet analiza pas zgjedhjeve. Unë mendoj se me analizën duhet të dalë në përfundimin si të rrëzohet qeveria. Më 25 prill kanë humbur të gjithë, jo vetëm PD. Rama ka thënë se PS është parti e të varfërve. Kjo do të thotë se Rama do të varfërojë qytetarët, që t’i mbajë nën kontroll. Policia ka nxjerrë vetëm në mandatin e parë mbi 40 mijë mandate-arresti. Shumë qytetarë kanë bërë burg për disa muaj vetëm pse kanë protestuar, si Dorian Prodotuari, Skënder Doda etj. Shumë narko-trafikantë sot bëjnë pallate nën emrin e Veliajt. Kjo është arsyeja pse nuk jemi vend normal”, u shpreh Balliu.

I pyetur për kthimin e mundshëm të Berishës në krye të PD-së, Balliu vlerësoi se lideri historik i Partisë Demokratike po rrit intensitetin e aktivitetit politik. Ai shtoi se me fitoren e PD fitojnë të gjithë qytetarët, kurse me humbjen e PD, humbin të gjithë qytetarët.

“Deklarata e liderit historik të PD-së, ishte e qartë se ai do të rrisë intensitetin e aktivitetit të tij politike. Sot fitorja e PD është fitore e të gjithëve dhe humbja e PD-së është humbje për të gjithë. Rama do të zhbëjë historinë e vendit, ai ka vetëm interesin e perandorisë së tij financiare në kurriz të qytetarëve të varfër e të vuajtur të Shqipërisë”, përmbylli Balliu.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: