TIRANË

Një ditë pasi demokratët e Pogradecit përjashtuan nga lista konkurruese ish- deputetin e Partisë Demokratike Klevis Balliu kanë reaguar banorët e “Astirit”.

Në një letër të hapur, banorët e Unazës së Re i kërkojnë ndjesë publike Balliut duke marrë përgjegjësinë për përjashtimin e tij. Ata deklarojnë se do kishin dashur të pyeteshin për të duke e konsideruar njeri të afërt ish-deputetin demokrat që u bë pjesë e kauzës së tyre.

Sipas banorëve, ajo që ndodhi në Pogradec duhet t’i shqetësojë të gjithë demokratët dhe dikush duhet të dalë e ta shpjegojë përse duhej kjo shfaqje, kujt i intereson kjo urrejtje dhe përçarje mes kandidatësh dhe mbështetësve te tyre.

Ata i drejtohen me një lutje kreut të PD-së Lulzim Basha duke kërkuar të bëjnë një zgjedhje për zonën e tyre.

“Klevis Balliu është propozim unanim në Unazë të Re na e mundësoni të bëjmë zgjedhjen tonë. Zoti Basha kemi shumë besim tek ju. Mbështetjen e keni maksimale nga ne banorët e Unazës së Re”, deklarojnë banorët.

MESAZHI I PLOTË
KLEVIS BALLIU
NDJESË PUBLIKE NGA BANORET E UNAZËS SË RE
Zoti Balliu të kërkojmë ndjesë, të morëm në qafë të përfshimë në hallet tona, të krijuam shumë probleme, ti dhe çdo gjë nga vetja sakrifikove dhe politikisht, si shpërblim more dhunë, urrejtje, persekutim.
Këto fotot flasin vetë, janë me qindra u përzgjodhën krejt rastësisht, nuk do reagonim fare por nuk po na zë vendi, nuk rrimë dot pa thënë dy fjalë.
Po bëhen rreth dy vite që ti o njeri i mirë je bashkëngjitur protestës me të gjatë dhe të dhunshme të ushtruar ndaj nesh.
Çdo ditë ke qenë në protestë dhe asnjë çast nuk na le vetëm, në shi në të ftohtë orar pa orar u përfshive dhe ti në hallin tonë aty me ne.
Urrejtja dhe dhuna e ushtruar ndaj teje arriti kulmin, burgu shantazhet sharjet fyerjet nuk ndaluan dhe ti nuk u tërhoqe në asnjë moment.
Shumë procese gjyqësore të stisura të montuara pa fakte u ngritën ndaj teje për te penguar kandidimin tënd në zgjedhje, nuk ia arritën dot por mesa duket kanë gjetur metoda tjera të pabese dhe të turpshme dhe mesa duket kanë arritur të depërtojnë dhe në radhët e PD.
Ti o miku ynë iu prishe shumë punë, të kishin zili, flitej lart në biseda oligarkësh dhe qeveritarësh që ky po flet shumë, po i jep gojës tepër, po na prish punë, nuk ia dolën dot me dhunë dhe me burg, por ia dolën me kulisa e intriga të të spostojnë.
E gjithë rilindja sy e vesh sot në Pogradec na u duk sikur Taulant Balla kish dorë në këto zgjedhje, reagime të shumta ne rrjete sociale, ia arritën qëllimit zemra mal kënaqësi e madhe për ta, sharje ofendime në kor si ordinerë.
Trishtim i madh, mërzitje pa fund, ti ishe krenaria jonë miku ynë, vëllai jonë, mezi prisnim kandidaturën tende në Unazë të Re, nuk e morëm vesh se çfarë ndodhi, nuk e mori kush mundimin të na sqaronte.
Partinë Demokratike e kishim mbështetje, kishim një aleancë dhe qëndruam se bashku kundra zaptuesve. Ne meritonim respekt dhe dinjitet prisnim të na merrej mendimi pasi kemi dhënë kontribut të madh gjatë këtyre viteve.
Klevisi ishte zëri jonë forca jonë, largimi i tij në një zonë tjetër nuk e di kujt i interesonte por ne si banorë kurrsesi jo përkundrazi shumë nga ne e pamë veten si të lënë pas dore.
S’na erdhi mirë por nuk reaguam, këmbëngulja e Klevisit ndikoi që të mos krijohen probleme, na tha kudo që të jem unë do ju përgjigjem dhe premtimin do e mbajmë për atë qe kemi nënshkruar.
Ajo që ndodhi në Pogradec duhet t’ju shqetësoj te gjithë ju dhe dikush duhet te dalë e ta shpjegojë përse duhej kjo shfaqje, kujt i intereson kjo urrejtje dhe përçarje mes kandidatësh dhe mbështetësve te tyre.
Edvini nuk i hapi listat do shkohet me lista të mbyllura dhe normal qe duhet ndërhyrë që ndërpritet ky sistem skualifikimi me probleme dhe përçarës tek mbështetësit
Partia Demokratike po përgatitet me kandidatët më të mirë për të garuar në zgjedhje, shumë prej nesh dhe jush kanë mbetur të habitur dhe te vrare në shpirt për çfarë ndodhi, nuk e dimë se me çfarë kriteri është nxjerrë nga gara KLEVISI.
Lista kishte 10 emra, a ishte Klevisi më i panjohuri aty?? Puna sakrificat meritat e tij i dinë të gjithë, ka diçka që nuk shkon këtu. 450 anëtarë paskan votuar kundër vetëm ndaj këtyre dy personave , ju qenka vërsul i gjithë Pogradeci, (450 anëtarë 506 vota kundër sikur s’del llogaria , po për ata 8 kandidatët e tjerë nuk ka votuar asnjë kundër)???
Shqetësimi i madh për ne, ndjehemi si të lënë në mes të rrugës. Pjesëmarrës në protestë jemi 400 familje me rreth 1 mijë banorë shto këtu dhe familje te tjera demokrate në Unazë dhe normalisht presim reagim nga strukturat drejtuese për ketë situate të krijuar.
Banoret e Unazës se Re nuk janë vetëm protestues por dhe votues, kemi sakrifikuar shumë, jemi grabitur dhunuar në mënyrë sistematike dhe çnjerëzore, meritojmë të na merret mendim dhe ne të pyetemi të përfaqësohemi denjësisht mezi presim qe te largohen këto kriminel dhe të vij PD në pushtet. Ne duam trajtim dinjitoz.
Ju lutemi shumë reagoni menjëherë mos na e ktheni shpinën mos na fyeni jemi në të drejtën tonë dhe presim nga mendje të qeta dhe të zgjuara të zgjidh ketë situatë jo të këndshme.
KLEVIS BALLIU është propozim unanim në UNAZË TË RE na e mundësoni të bëjmë zgjedhjen tonë.
Zoti Basha kemi shumë besim tek ju. Mbështetjen e keni maksimale nga ne banorët e Unazës së Re.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb