Ish-kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, njëherësh ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani pritet të kthehet si gjyqtari i Gjykatave të Apelit. Ky vendim është dhënë nga Këshilli i Lartë i Gjyqësorit, i cili vendosi në mbledhjen e sotme se Dvorani duhet të zgjedhë mes 6 pozicioneve të punës në Gjykatat e Apelit në vend, për të ushtruar funksionin e gjyqtarit.

Mësohet se Dvorani ka afat deri më datë 28 korrik për të vendosur se në cilën gjykata do të dojë të ushtrojë detyrën e tij.

Po ashtu Këshilli vendosi hapjen e procedurës së komandimit në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë dhe shpalljen e kërkesës për 5 (pesë) kandidatura nga radhët e gjyqtarëve.

NJOFTIMI I KLGJ
Në vijim Këshilli, pasi u njoh me dokumentacionin përkatës, vendosi pezullimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga znj. Ariana Gaçi, për rikthimin e saj në funksionin e Këshilltarit të Gjykatës së Lartë. Kjo vendimmarrje u bë për shkak të kërkesës saj të paraqitur për shqyrtim para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më tej, mbledhja vijoi me shqyrtimin e relacionit mbi situatën e pritshme të caktimin në pozicion të të sapodiplomuarve për magjistratë. Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që t’i kërkojë Shkollës së Magjistraturës, si organi kompetent që bën renditjen e kandidatëve për magjistratë, të unifikojë listën e të diplomuarve për magjistratë, profili gjyqtar.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi publikimin e pozicioneve të lira në nivel apeli, për gjyqtarin Ardian Dvorani, që ka të drejtën e caktimit në një pozicion të tillë. Pas kësaj vendimmarrje gjyqtari Ardian Dvorani, ftohet për të zgjedhur deri më datë 28.07.2020, njërin nga pozicionet e lira në gjykatat e mëposhtme:

Gjykata e Apelit Tiranë,

Gjykata e Apelit Administrativ,

Gjykata e Apelit Durrës,

Gjykata e Apelit Korçë,

Gjykata e Apelit Gjirokastër,

Gjykata e Apelit Shkodër.

Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me Vendimin nr.86, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidaten znj. Klodiana Veizi, për shkak të tërheqjes së saj nga kandidimi për këtë pozicion.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. Irida Kacerja të katër kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 91, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: