Këshilli i Lartë Gjyqësor fajëson koronavirusin për ngecjen e procesit për vlerësimin e kandidatit për anëtar të katërt të gjykatës së Lartë nga radhët e jogjyqtarëve, emërimi i të cilit do t’i jepte fundit përplasjeve të forta për mandatin e Ardian Dvoranit.

Në përgjigje të interesimit të News 24, këshilli thotë se procesi e verifikimit të kandidatit Dariel Sina, ka ngrirë dhe nuk mund të përfundojë derisa puna në institucion t’i kthehet normalitetit.

Për shkak të situatës së krijuar nga përhapja e COVID 19, Qeveria e gjyqësorit po zhvillon aktivitetin online dhe sqaron se është në pamundësi që nëpërmjet platformës kompjuterike “Microsoft Teams” të shqyrtojë të dhëna personale apo informacione të klasifikuara sekret për kandidatin, pasi ekziston rreziku që të rrjedhin në publik.

“Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka theksuar se informacionet e klasifikuara “Sekret shtetëror” duhet të administrohen vetëm nëpërmjet mjeteve, platformave, paisjeve dhe rrjeteve të çertifikuara përshtashmërisht më parë nga DSIK-ja. Në në kushtet e punës në distancë është rreptësisht i ndaluar përdorimi i tyre, duke përdorur internetin”.

Edhe në rast të organizimit të mbledhjes plenare,në një ambient tjetër, të ndryshem nga salla ku zhvillon aktivitetin, Këshilli deklaron se është në pamundësi të diskutojë për këtë cështje, pasi informacionet secret duhet të trajtohen në një ambient të klasifikuar si Zonë e Sigurisë të Klasit të I-rë. Këtë kusht, sqaron institucioni e përmbush vetëm salla ku organizohen mbledhjet plenare.

Në finale, KLGJ thotë se me përmirësimin e situatës së krijuar nga Covid-19, çështja e kandidatit do të trajtohet me prioritet. Dariel Sina, aktualisht komisioner publik, që garanton interesat e publikut në procesin e vettingut është kandidati i vetëm për vendin e 4 vakant në gjykatën e Lartë nga radhët e jogjyqtarëve. Më herët, anëtarë të gjykatës supreme nga radhët e juristëve të shquar janë emëruar Sokol Sadushaj, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Ardian Dvorani, vijon të qendrojë në detyrë edhe pse mandati i ka përfunduar që në 2014, me argumentin se pret anëtarin zëvendësues.

Derisa vendi vakant të plotësohet, Dvorani do të jetë në krye të këshillit të Emërimeve në Drejtësi, post për të cilin është kallëzuar në SPAK nga Presidenti i vendit, Ilir Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb