Sezoni i blerjeve për festat e fundvitit 2022 fillon të premten, një ditë pas Ditës së Falënderimeve. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Chris Casquejo, u hedh një vështrim pritshmërive të shpenzimeve për blerësit e goditur nga inflacioni.

Disa kilometra pranë Uashingtonit, ndodhet qyteti historik i Aleksandrisë, shtëpia e një lagjeje tregtare të njohur për turistët dhe vendasit. Ky dyqan mallrash shtëpiake dhe dhuratash mezi i mbijetoi bllokimeve të COVID-19.

“Ishte e vështirë dhe ishim të shqetësuar se nuk do të mbijetonim”, thotë Amy Rutherfod pronare e dyqanti Red Barn.

Por këtë vit, klientët janë kthyer dhe janë gati për të shpenzuar — por me kujdes, thonë ata, për shkak të inflacionit.

“Po kërkoj më shumë zbritje ose ndonjë ofertë tjetër që mund të më tundojë”, thotë klientja Lesley Huff McGrew.

Federata Kombëtare e Shitjeve me Pakicë parashikon që shitjet gjatë nëntorit dhe dhjetorit do të rriten mes 6% dhe 8% në krahasim me vitin 2021.

Analistët thonë se blerësit po kërkojnë vlerë.

“Ata po blejnë marka të ndryshme që nuk i konsideronin më parë, dhe po shohin gjithashtu dyqanet me zbritje. Përveç kësaj, shumë konsumatorë po fillojnë blerjet e tyre herët për të shpërndarë shpenzimet dhe për t’u siguruar që kanë kohë të mjaftueshme për të llogaritur çdo dollar”, thotë Katherine Cullen nga Federata Kombëtare e Shitjes me Pakicë

Për kompanitë kryesorë në SHBA, parashikimi ekonomik është i përzier, bazuar në rezultatet ekonomike të tremujorit të tretë.

Kompania Walmart raportoi fitime më të mira nga sa pritej dhe rriti perspektivën e fitimeve. Macy’s dhe dyqane të tjera të mëdha zinxhirë thonë se shpenzimet u ngadalësuan në javët para sezonit të blerjeve për festat, gjë që mund të çojë në ulje të çmimeve. Ky është një lajm i mirëpritur për blerësit në këtë qendër tregtare të Virxhinias.

“Po shpenzoj më shumë sepse gjatë Covid-19,për shembull, ne nuk shpenzuam aq shumë për festat. Na u desh të qëndronim në shtëpi. Kështu që tani po shpenzoj më shumë para për të shijuar sezonin”, thotë Mahbuba Ashrafi.

Për pronaren Amy Rutherford, sezoni i parë i blerjeve të festave me klientë në dyqan në tre vjet e bën atë të ketë shpresë.

“Megjithatë, jam padyshim optimiste. Si pronare e një biznesi të vogël duhet të jesh optimiste, por unë me të vërtetë jam këtë vit. E di që inflacioni është një gjë dhe po ndikon shumë tani, por Krishtlindjet nuk anulohen. Ato nuk do të presin por do të vijnë”.

Dhe pavarësisht shqetësimeve për inflacionin, bizneset shpresojnë se blerësit do të jenë në një humor të mire për të dhuruar këtë sezon festash./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: