SHBA- Në 2015-ën, për herë të parë temperaturat kanë kaluar me 1 gradë Celsius ato të periudhave paraindustriale. Të paktën kështu deklaron “Raporti i Përkohshëm mbi situatën e ndryshimeve klimatike”, Organizata Botërore Meteorologjike (OBM). Sipas OBM-së, temperaturat mesatare në 2015 kanë thyer të gjitha rekordet, duke shkuar deri në 0,76 gradë Celsius mbi mesataren e temperaturave në vitet 1961-1990.

“Në vitin 2015, fenomeni El Nino dhe ngrohja globale e shkaktuar nga gazrat serë kanë pasur këtë efekt dramatik në sistemin klimatik”,- tha sekretari i përgjithshëm i OBM Petteri Taalas.

Temperaturat rekord të regjistruara në sipërfaqen e oqeaneve dhe tokës në vitin 2015 ishin të shoqëruara nga një numër ngjarjesh ekstreme të motit, të tilla si valët e të nxehtit, përmbytjet dhe thatësira. “Nëse angazhimet e marra në negociatat mbi ndryshimet klimatike në Paris do të respektohen dhe në qoftë se ne do të miratojmë masa më ambicioze për të reduktuar emetimet, atëherë do të kemi një shans për të qëndruar në pragun e temperaturave që rriten deri në 2 gradë Celsius”, ka thënë Taalas.

Sekretari i Përgjithshëm i OBM, tha se: “Ndryshimet e klimës do kenë gjithnjë e më shumë ndikime negative të paktën për pesë dekadat e ardhshme dhe është e nevojshme të ndërhyhet për ti zbutur ato.

“Është e rëndësishme të forcohen kapacitetet e shteteve, të kenë sisteme të hershme të paralajmërimit në rast fatkeqësish për të minimizuar humbjet ekonomike e njerëzore”,- përfundoi ai.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb