I ftuari i dytë në programin “Dola te Ola” mbrëmjen e kësaj të diele ishte kuzhinieri i njohur Klodian Hila.

Ai rrëfeu se nuk e kishte imagjinuar kurrë që një ditë do të bëhej kuzhinier dhe do të kishte një dashuri të madhe për këtë profesion. Klodi tregoi se gjithçka nisi si një nevojë për të siguruar të ardhura për vete, pa e ditur se do të zbulonte talentin që fshihej brenda tij për kuzhinën.

Klodiani rrëfeu në program edhe vështirësitë me të cilat është hasur, teksa tha se për të hyrë në një kurs kualifikimi për kuzhinë në Greqi, u detyrua që të gjente mik për t’u regjistruar, dhe tha se deri vonë të gjithë e dinin se ishte polak.

Ai theksoi se një nga arsyet që u kthye në vendin e tij ishte pikërisht racizmi që ndjente në vendin fqinj, pasi nuk donte kurrsesi që kur të bëhej prind fëmijët e tij të përjetonin dhe të përballeshin me të njëjtën gjë.

Tashmë prej vitesh Klodian Hila ka restorantin e tij “Divjaka Fish”, i pari dhe i vetmi restorant ku gatuhen të gjitha prodhimet e detit dhe ku punon e gjithë familja, ku një rol shumë të veçantë ka nëna e tij e cila shkon në çdo tavolinë dhe merr përshtypjet e klientëve, në këtë mënyrë përveç komplimenteve ata dëgjojnë edhe sugjerimet e tyre. “Kuzhina është art”, u shpreh Klodi, teksa po fliste për pasionin dhe për pjatat e realizuara me mjeshtëri në restorantin e tij “Divjaka Fish”.

Gjatë bisedës Klodi zbuloi se përveç pasionit të madh që ka për kuzhinën ai është i apasionuar edhe me motorin, e nëse do të vihej para një zgjedhjeje ai tha se e kishte të pamundur t’i ndante.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: