Ishte njeriu i ndeshjes dhe Jyrgen Klop i jep meritat që i takojnë. Trajneri i Liverpulit vlerësoi me superlativa Xherdan Shaqirin pas fitores ndaj Yllit të Kuq të Beogradit në “Anfield Road”.

Përjashtuar kualifikueset, Liverpuli nuk mposhtet në asnjë nga 17 ndeshjet e fundit në shtëpi në kompeticionet Europiane (12 fitore, 5 barazime), duke shënuar 43 gola. Ekipi nuk pëson gol gjithashtu në 12 nga 15 ndeshjet e fundit në “Anfield Road” në të gjitha kompeticionet. “Plani ishte që të luanim vertikalisht. Nuk e dinim sesi do të mbronin ata.

Donim të ishim shumë të lëvizshëm dhe të gjallë. Kur ndeshja u qetësua, ne luajtëm futboll dhe krijuam raste. Bëmë në çdo moment lëvizjet e duhura në momentet e duhura. Bëmë gjithashtu pasimet e sakta. Ishte një ndeshje me të vërtetë e mirë dhe unë e shijova shumë. Ishte një ndeshje e bukur futbolli dhe një fitore e merituar, përcjell Panorama Sport.

Fabinjo ishte shumë lartë që nga minuta e parë, ndërsa Shaqiri u përfshi në gjithçka. Ai është me të vërtetë një futbollist i mirë dhe kjo ndihmoi. Mendoj se luajti shumë mirë”, tha trajneri gjerman. Në lidhje me renditjen në grup, ish-tekniku i Dortmundit komentoi: “Napoli dhe PSG barazuan 2-2. Por, mund ta imagjinoj sesa ndeshje e bukur ka qenë. Do të vazhdojë të mbetet një grup emocionues. Është shumë i fortë për të gjitha skuadrat. Duhet të jemi gati çdo ditë dhe shpresojmë që të jemi gati edhe pas dy javësh”.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb