Jurgen Klopp beson se përmirësimi i performancës së Liverpool meritonte fatin në përballjen ndaj Manchester City, pikërisht në momentin kur “Qytetarët” shpërdoruan shansin më të mirë për të fituar supersfidën, me atë penallti në minutat e fundit, aq dramatike në Anfield. Mahrez dërgoi topin mbi traversë vetëm katër minuta para përfundimit të kohës së rregullt, pas asaj penalltie të akorduar në favor të të kuqëve, si pasojë e ndërhyrjes së gabuar të Virgil van Dijk ndaj Leroy Sane. Ngjarje që ndikoi në rezultatin final të ndeshjes, në mënyrë të tillë që të dyja skuadrat të ndaheshin me nga një pikë, pas barazimit 0-0, në supersfidën e të dielës në Premier League.

Në një ndeshje me pak raste, Liverpool u bë skuadra e parë që ndali City-n të shënonte, ndërsa vetë të kuqtë regjistruan rekordin e nëntë ndeshjeve radhazi në shtëpi pa pësuar gol. Pikërisht edhe për këtë arsye, trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp ka përgëzuar futbollistët e tij, sidomos për mënyrën se si reaguan ndaj zhgënjimit të mesjavës, pas asaj humbje në transfertë ndaj Napolit, e vlefshme për UEFA Champions League.

“Është një penallti. Është shumë më e lehtë të pranosh që ishte penallti, kur ajo nuk realizohet nga kundërshtari. E pashë dhe nuk mendoj se ka shumë për të diskutuar. Bëhet fjalë se sa shpesh është me penalltitë, është shumë shumë pranë. Nëse Virgil do të kishte një gisht të madh më të gjatë, atëherë ai do të kishte larguar topin. Gjithsesi unë mendoj se ai e preku pak fare topin, por dukshëm jo aq sa duhet. Nuk është penalltia më e rëndësishme në historinë e futbollit, por ishim me fat në atë situatë. E merituam atë pak fat, për shkak të performancës që djemtë treguan sot. Është shumë e rëndësishme të reagosh, por shumë e vështirë. Kur kundërshtari i radhës është Manchester City, nuk ke kohë për mendime të gabuara. Ishte e lehtë për të bërë përmirësimet, pasi bëmë një gabim të madh kundër Napolit. Nuk u përshtatëm ndaj asaj që bënë ata, por sot ishim sërish vetvetja”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Liverpool, Klopp, pas barazimit 0-0 të regjistruar në Anfield ndaj Manchester City.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb