Nga dita kur Gjykata Administrative bëri publik vendimin që “rrëzoi” VKM-në për shpalljen e Malit të Tomorrit, Zonë të Mbrojtur dhe aktualisht, ekspertët e mjedisit në Ministrinë e Turizmit kanë nisur punën për skanimin e të gjitha Zonave të Mbrojtura nga veriu në jug, për të kuptuar rëndësinë e vlerave të vërteta mjedisore dhe turistike të zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare, për të krijuar hartën e parë të zonave më vlera të rralla nga pikëpamja mjedisore, të zonave që duhen shtuar, si dhe të atyre që përjashtuar nga kjo listë.

Kështu e nisi fjalën e tij, ministri Klosi, duke marrë shkas nga ngjarja e fundit, ku një grup gjyqtarësh refuzuan shpalljen e Malit të Tomorrit, Zonë të Mbrojtur, betejë e nisur më datë 3 gusht, 1 ditë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Administrative dhe që do të vijojë deri kur Mali i Tomorrit të marrë statusin që meriton: Park Kombëtar!

“Ne do të ndërmarrim një diskutim të hapur publik me ekspertët e fushës dhe këtë edhe në kuadër të paktit me universitetin, ku ne u jemi drejtuar gjithmonë fakulteteve me të cilët kemi lidhje të drejtpërdrejtë si fakultetin e shkencave të natyrës, si universitetin bujqësor dhe po ashtu fakultetin e mjedisit pranë UT-së. E nisim sot këtë bisedë të madhe publike për të mbuluar një sezon të tërë të cilin duam t’ia dedikojmë zonave të mbrojtura, për t’i transformuar ato në vlera të historisë së zhvillimit natyror të vendit, por natyrisht edhe në resurse të vërteta të zhvillimit turistik në vend. Dhe nuk ka një zonë më shumë sesa mali i Tomorrit dhe i gjithë parku që mban mbi vete të gjithë historinë e lashtësisë së Shqipërisë por edhe historinë moderne, historinë e lashtësisë me vlerën që ka mali i Tomorrit me gjithë vlerat që ka si objekt kulti apo i vlerave të trashëgimisë sonë religjioze, por po ashtu me vlerat natyrore që ka ajo zonë dhe çfarë duhet të bëjmë ne që këtë diskutim ta bëjmë sa më të hapur dhe sa më publik”, tha ministri Klosi, i cili shtoi se edhe në vitin 1995 kur mali i Tomorrit u shpall Park Kombëtar, me një vendim të qeverisë së asaj kohe, përsëri edhe ai ka qenë i ndikuar për interesa të disa biznesmenëve, duke përjashtuar zonën e kodrinës së Novajve dhe zonën që shkon drejt kultit të Baba Tomorrit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Është po ky lobim, i cili kundërshtoi edhe vendimin e qeverisë përsa i përket procedurave në të cilën ajo është ndërmarrë packa se janë bërë dëgjesa publike në zonë, unë vetë kam qenë atje, i kam takuar njerëzit dhe kam konsensus maksimal prej banorëve që ajo të jetë zonë e mbrojtur, por gjykatat tona ndërmorrën një veprim krejtësisht abuziv duke rihapur diskutimin për malin e tomorrit, për të parë dhe për të kuptuar se përse ajo zonë është një zonë që ruhet ashtu sic është e bukur, si Zoti e ka krijuar, të mos vazhdojë të shkatërrohet në pafundësi nga ky biznes, nga i cili mund të përfitojnë 10 kompani që bëjnë aty biznes por natyrisht dëmton një pasuri të madhe kombëtare. Duam shumë që ky të jetë një debat i pafundëm, debat që përfaqëson vlerat e vërteta të asaj zone. Do të donim shumë që ajo që ka nisur me të rinjtë e Beratit për të mbledhur firma për një peticion drejtuar organeve shtetërore për ta shpallur zonë të mbrojtur e për të mbyllur përfundimisht veprimtarinë abuzive të kompanive në malin e Tomorrit. Po ashtu peticioni i drejtohet edhe anëtarëve të gjykatës të cilët morën një vendim krejtësisht abuziv dhe duke luftuar me procedura mbrojtjen e një pasurie kombëtare”, u shpreh ministri Klosi.

Ndaj, sipas tij, është koha që mendimi intelektual, i profesorëve, i ekspertëve mjedisorë të dëgjohet për të mos lejuar shkatërrimin e malit të Tomorrit.
“Ne do të bëjmë një dëgjesë edhe me komunitetin në malin e Tomorrit, do të vazhdojmë mbledhjen e firmave nga të rinjtë e Beratit. Do të marrim një vendim të shpejtë besoj në KKRRT për të miratuar zgjerimin e hartës së parkut kombëtar të Tomorrit, do të miratojmë me vendim qeverie rishpalljen Park Kombëtar zonën e Tomorrit pasi hilet e gjykatave për ta cuar në gjykatë, për të zgjatur me vite e vite në sistemin gjyqësor do ta shkatërrronte përfundimisht atë zonë të parikuperueshme. Ne do të vazhdojmë ankimimin gjyqësor për procesin e fundit të gjykatës pasi ai mal nuk do të dëmtohet, ai mal do të mbrohet”, tha ministri Klosi, në dëgjesën e parë me ekspsertë mjedisorë, të cilët renditën vlerat e kësaj zone dhe shprehën mbështetjen e tyre në këtë betejë, që sipas tyre nuk mund të fitojë askush tjetër veç Mjedisit!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb