TIRANE- Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi nënshkroi sot paktin e mirëqënies sociale me 6 bashki të qarkut të Fierit nga ku theksoi se vettingu do t’u japë mbështetje njerëzve në nevojë. Sipas tij, frika nga vettingu po mban opozitën në çadër.

“Opozita të mos i trembet reformës në drejtësi. Sikur vetëm një shembull të marrim meqë dje miratuam ligjin për mbrojtjen e fëmijëve. Po mbrohet një drejtësi që s’ka dhënë asnjë vendim pro fëmijëve që shfrytëzohen në rrugë. Fatkeqësi që opozita nuk ishte pjesë e miratimit të ligjit dje. Po bëjmë reforma, po drejtësia është kryereforma. Për realizimin e reformave duhet të funksionojë drejtësia”, u shpreh ministri.

Ai i bëri thirrje opozitës të kthehet në parlament për të votuar reformat, ndërkohë që deklaratat e kryetarit të PD-së ai i cilësoi bllokuese për procesin e miratimit të reformave si dhe destabilizuese për vendin.

“Shërbim për çdo qytetar në nevojë, mirëqenie për çdo shqiptar është misioni ynë. Opozita të dalë nga çadra, të mos i trembet reformës në drejtësi, t’i bashkohet reformave që shkojnë për shqiptarët”, theksoi Klosi.

Ngritja e shërbimeve në çdo territor, kalimi i kompetencave nga pushteti qendror te ai vendor për shërbimet sociale është në themel të këtij pakti që ministri Klosi nënshkroi sot me 6 bashki të qarkut të Fierit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: