TIRANE-Ministri Klosi dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku së bashku me zvministren e mjedisit dhe Inspektoriatin Shtetëror të Mjedisit ishin sot në një nga pikat e grumbullimit të skrapit në Tiranë.

Ministri Klosi theksoi se ky është një operacion i përbashkët i Inspektoriatit të Mjedisit me përfaqësuesit e Policisë së Tiranës dhe policisë bashkiake në kuadër të operacionit “Pastrojmë Shqipërinë që duam” që po kalon në sitë monitorimi dhe evidentimi të 180 pikat e grumbullimit të skrapit në Tiranë. Pika të tilla janë krejtësisht në kundërshtim me të gjitha rregullat mjedisore, janë pika të cilat jo vetëm grumbullojnë të gjitha mbeturinat e qytetit por edhe zhvillojnë aktivitetin e tyre brenda zonave të banuara.

Duke iu kundërpërgjigjur edhe kreut të PD në lidhje me ndëshkimin masiv të biznesit të riciklimit, Klosi tha se nuk ka heqje të licensave të zhvillimit të aktivitetit të ndershëm por revokim lejesh mjedisore dhe më pas evidentim të problematikave, që janë vënë në pah edhe nëpërmjet ankesave të qytetarëve.

”Kjo është edhe një përgjigje për një batare mbështetjesh për paligjshmërinë që në fillim erdhi nga Saliu, i cili mbronte guroret e paligjshme në të gjithë Shqipërinë të cilat ne po i mbyllim, po i evidentojmë dhe do të nxjerrim kriteret e reja mbi të cilat të zhvillohet biznesi guror. Sot erdhi mbështetja nga Luli për pisllëkun e qytetit. Jo, nuk do të lejojmë as batarenë e guroreve, as papastërtinë që i vjen qyteteve nga guroret, por as luftën kundër zhulit në Tiranë nuk do ta ndërpresim”- tha ministri.

Ministri Klosi theksoi se operacioni do të shtrihet në të gjithë vendin dhe krahas evidentimit të problematikave të këtyre pikave të grumbullimit të mbetjeve po shqyrtohen dhe do të miratohen edhe kriteret e reja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: