ELBASAN- Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, kreu i Këshillit të Europës në Tiranë, Claus Neukirch dhe të rinj të komuntetit rom mbollën 150 pisha të reja në Krastë të Elbasanit. Mbjellja e fidanëve të rinj u bë në një zonat e dëmtuara si pasojë e zjarreve, duke kontribuar kështu në rehabilitimin e pyllezimin e saj.

Ministri Klosi theksoi se mbjellja e fidanëve është pjesë e programit të gjelbërimit me 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020,por njëherësh është një bashkëpunim i frytshëm me bashkinë e Elbasanit dhe të rinjtë romë, duke shërbyer edhe si formë edukimi për mjedisin. “Është një mundësi më shumë që këta të rinj, të dashurojnë mjedisin dhe të fillojnë të mendojnë që pemët, pylli, sidomos drurët frutorë, janë një mundësi e artë për të krijuar mjete jetese edhe për këtë komunitet”- tha ministri Klosi duke shtuar se së shpejti në të gjitha nivelet e arsimit do të hyjë kurrikula për edukimin mjedisor. “Përgatitja e një kurrikule pranë shkollave për të edukuar fëmijët dhe të rinjtë me një dashuri më të madhe për natyrën , për një mjedis të përbashkët të cilin ne duhet ta mbrojmë me çdo kusht, është pjesë e punës sonë. Shumë shpejt ne do të kemi një program të posaçëm për të pasur kurrikula për edukimin mjedisor që nga klasat e para të shkollave deri në universitete”.

Kreu i Këshillit të Evropës në Tiranë theksoi angazhimin e Këshillit të Evropës në promovimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit duke shtuar se kjo ngjarje shënon një vlerë simbolike dhe në të njëjtën kohë apelon për pjesëmarrjen e romëve në veprime të tilla të komunitetit dhe angazhimin e tyre të mëtejshëm në nivel lokal. Nënkryetari i bashkisë Elbasan theksoi vëmendjen e pushtetit lokal për rigjallërimin e të gjitha zonave të degraduara si dhe një kujdes në rritje ndaj natyrës. Ndërsa përfaqësuesi i Institutit të Kulturës Rome shtoi se përfshirja e të rinjve të këtij komuniteti do të shtrihet edhe në bashki të tjera të vendit në kuadër të programit ROMACTED.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: