Rreth 1000 të rinj vullnetarë, ministri Klosi, përfaqësues të Eko Mendje, nga Zonat e Mbrojtura, prefektura e Durrësit dhe strukturat e tjera të ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit realizuan sot një aksion masiv pastrimi përgjatë bregut të detit, në Kepin e Rodonit. Operacion pastrimi, që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe për të cilin, ministri Klosi kërkoi bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për Shqipëri më të pastër, në prag të sezonit të ri veror.

“Sot është një nga operacionet më të bukura të pastrimit, që ne kemi organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Tokës. Së bashku me Eko Mendjen dhe me prefekturën e Durrësit kemi organizuar rreth 1000 vullnetarë, që kanë ardhur për të pastruar kepin e Rodonit, për të vazhduar operacionin e pastrimit, për të pastruar të gjithë zonën dhe për ta bërë gati për sezonin turistik, për të dhënë një mesazh të qartë në mbështetje të të gjitha zonave të mbrojtura dhe për zonat turistike me vlera të trashëgimisë kulturore”, tha ministri Klosi.

Ai theksoi se të tilla aksione pastrimi duhet të jenë shembull i mirë për çdo qytetar, që dëshiron të japë kontribut për vendin e tij, por edhe për turistët e huaj, që pritet të mbërrijnë këtë vit në Shqipëri.

“Turistët e parë kanë filluar të vijnë në durrës dhe ne nuk mund të prisnim që sezoni të na gjente të papastër, prandaj është një kontribut shumë i madh i vullenatarëve, të mbëshetur edhe nga koka Kola, e cila ka mbështetur prezencës e 1000 të rinjve, që do të jenë në një operacion pastrimi në të gjithë bregdetin shqiptar dhe shpresoj shumë që ky të jetë një operacion, që nuk do të bëhet vetëm nga forcat vullnetare, të eko mendjes apo të institucioneve shtetërore, por në të, të përfshihet gjithmonë e më shumë qeveria shqiptare. Lufta kundër pisllëkut, është lufta më e rëndësishme që ne kemi sot, në prag të sezonit të ri turistik”, tha ministri Klosi. I pranishëm në këtë aktivitet masiv pastrimi, prefekti i Durrësit e vlerësoi këtë iniciativë dhe garantoi se aksionet do të vijojnë.

“Së shpejti, në kuadër të Task Forcës në qarkun e Durrësit do të ndërmarrim aksione të ndryshme. Do të fillojmë me plazhet, bregdetin, me rrugët, me urat, për të pasur një ambient sa më të pastër. Në mënyrë të veçantë do të shikojmë zbatimin e ligjit në plazhet e të gjithë territorit të qarkut të Durrësit”, tha prefekti Nasto. Kryetari i shoqatës Eko Mendje, theksoi se këto aksione nuk synojnë thjesht dhe vetëm pastrim, por edhe promovim të vlerave tona natyrore dhe turistike.

“Sot është një ditë shumë e bukur, që na bën shumë krenarë, ku janë përfshirë 1000 aktivistë, që e duan punën, natyrën dhe e duan Shqipërinë. Kjo nuk mund të arrihej pa ndihmën e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, të cilën e falenderoj pasi i tregojmë edhe njerëzve të tjerë që ata që duan këtë vend, do të marrin pjesë në këto aktivitete, që nuk janë thjesht pastrime por edhe promovim i natyrës. Jemi në një zonë shumë të bukur, e njeh gjithë Europa, por që tani pas këtij aksioni turistët do ta gjejnë edhe më të bukur”, tha aktivisti Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb