DIVJAKE– Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi ishte në Divjakë në kuadër të aksionit për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020. Klosi tha se me mbjelljen e pemëve prodhohen të mira për të gjithë shoqërinë. Ai tha se datat 23-24 shkurt e kemi shpallur ditën e pemëve dhe do të kërkojmë që çdo fëmijë, çdo nënë, çdo familjar, të mbjellë një pemë për njeriun e tyre të dashur.

Fjala e plotë e Klosit:
Jemi sot këtu me Kryetarin e Bashkisë së Divjakës me deputetin Braçe me Nikon me Dhimon dhe me shumë miq të tjerë për t’i dhënë një jehone të fortë aksionit tonë për të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020 duke e parë atë si një aksion që nuk ka të bëjë vetëm me pemë, ka të bëjë me dashurinë për natyrë, me dashurinë për tokën, dashurinë për riprodhim, me dashurinë për të prodhuar më shumë mirëqenie dhe natyrisht më shumë të ardhura.
Ky komunitet i Divjakës në ndihmë të dy biznesmenëve shumë të interesuar për më shumë gjelbërim dhe prodhim në Shqipëri, tashmë ka jo vetëm 100 mijë pemë të reja të mbjella por ka 100 mijë mundësi më shumë për të pasur të mira materiale për ta. Aksioni ynë për të mbjellë më shumë pemë është që të kemi mundësi që e gjithë shoqëria të përfshihet në procesin e riprodhimit të jetës procesin e riprodhimit të të mirave, procesin e riprodhimit të dashurisë për natyrën. Në datën 23-24 shkurt e kemi shpallur ditën e pemëve dhe do të kërkojmë që çdo fëmijë, çdo nënë, çdo familjar, të mbjellë një pemë për njeriun e tyre të dashur të riprodhojë në tokë diçka, atë detyrë që n a ka dhënë në fakt edhe Bibla edhe Kurani.
Prandaj ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje njerëzve që të ndjekin shembullin e Shpëtimit dhe Ilir Trebicka të cilët kanë mbjellë në një ditë 100 mijë pemë. Le ta quajmë një ditë simbolike, 1 ditë-100 mijë pemë. Kjo për të dhënë mundësinë dhe mesazhin në të gjithë Shqipërinë, kemi shumë hapësirë të cilat mund të mbushen me pemë që prodhojnë kokrra.
Pra, me pemë që prodhojnë para, me pemë që prodhojnë dashuri. Me pemë që prodhojnë të mira për gjithë shoqërinë Shqiptare. Pra, jam besimplotë që projekti ynë 20 milion e 200 mijë pemë deri në vitin 20 20 do të jetë i mbushur më shumë se sa numri që kemi vënë vetes objektiv, po kjo kërkon një angazhim të të gjithëve dhe një kuptim që të gjithë këto hapësira boshe të mbushen me pemë që prodhojnë, që prodhojnë për njerëzit, prodhojnë për industrinë, prodhojnë për ekonominë, që prodhojnë lule për bletët që prodhojnë oksigjen për te gjithë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: