TIRANË- Në ditën e gruas, 8 Mars, ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi ishte në një nga fabrikat e reja të prodhimit, ku janë punësuar rreth 200 gra, një pjesë e të cilave ish gra të dhunuara.

Bashkë me anëtaret e Këshillit Kombëtar të Barazisë gjinore, që zhvilloi mbledhjen në këtë ambient, ministri Klosi iu shpërndau lule në vendin e punës, të gjitha grave, me mesazhin bashkëngjitur të fushatës kundër dhunës këtë vit, “Unë zgjedh të jetoj pa dhunë”.

Në bashkëbisedim me të punësuarat në këtë fabrikë, ministri Klosi deklaroi se fuqizimi ekonomik i gruas është prioriteti i këtij viti, ku një nga programet e nxitjes së punësimit shkon pikërisht për kategoritë e grave që kanë vështirë hyrjen në tregun e punës.

Ministri Klosi falënderoi sipërmarrësen e këtij biznesi që ka bërë ndryshimin duke punësuar gra nga kategoritë vulnerabël, duke vënë theksin tek vendimi që pritet të merret për rritjen e pagës minimale, përpjekja për rritjen e pagesës për to.

Ambasadori i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian Williams deklaroi se fuqizimi ekonomik i gruas në Shqipëri, është garancia për zhvillimin e vendit tonë.
Sipërmarrësja Iva Laro deklaroi se përpos kësaj sipërmarrje, është një tjetër nismë që do të vihet në zbatim së shpejti, ajo për punësimin e grave të burgjeve të Tiranës.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Barazisë Gjinore në këtë ambient, ministri Klosi deklaroi se jo më kot u zgjodh që kjo strukturë të zhvillojë takimin këtu, pasi fuqizimi ekonomik i gruas është një nga mekanizmat e sigurt edhe të parandalimit të dhunës në familje.

Nga ky takim ministri Klosi vuri theksin tek nevoja për reformimin e gjyqësorit, edhe për të frenuar dhunën në familje, pasi në shumë raste është shkuar në ngjarjet kriminale për shkak të vendimeve të munguara të gjyqësorit, për urdhrat e padhëna të mbrojtjes, apo për mungesën e dënimeve kundrejt dhunuesve.

“Duhet të jemi të gjithë bashkë, për të mundësuar reformimin e gjyqësorit, votimin e Vettingut, ecjen përpara me reformën edhe në të mirë të një familje më të shëndoshë, edhe në të mirë të frenimit të dhunës” – deklaroi ministri Klosi në mbledhjen e Këshillit të barazisë gjinore.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb