Qytetarët do të paguajnë për mbetjet urbane mbi një sistem të unifikuar dhe transparent për të gjithë. Këtë parashikon projektligji i kosto- tarifës së mbetjeve urbane, përgatitur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Projektligji që synon vendosjen e rregullave të barabarta, dhe të qarta iu prezantua kryetarëve të bashkive nga Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi.

Duke bërë një pasqyrë të përgjithshme të situatës së mbetjeve në vend dhe punës së deritansihme ministri Klosi theksoi se menaxhimi i trajtimit të mbetjeve urbane është një hallkë shumë e rëndësishme për një Shqipëri të pastër.

“Është e papranueshme që në vitin 2018 të kemi një sistem të çorganizuar të trajtimit të kostove dhe tarifave të trajtimit të mbetjeve urbane duke sjellë kosto të ndryshme nga një bashki në tjetrën, ndaj përgatitja e një formule nga ekspertët e fushës do të bëjë të mundur që të kemi transparencë në llogaritjen e kostove të menaxhimit të mbetjeve urbane, të kemi projekte të qarta e të mbrojtura si dhe kontrata të përcaktuara në bazë të normave dhe standarteve”, tha ministri Klosi.

Sistemi i unifikuar i kostimit dhe tarifimit të mbetjeve urbane synon rritjen e shkallës së mbrojtjes së mjedisit, zbatimin e standarteve më të mira në menaxhimin e mbetjeve urbane dhe planifikimin më të mirë të menaxhimit në tërësi.

Mbështetja e parë si një projektvendim i mirëpritur prej vitesh, erdhi nga kryetari i bashkisë Vlorë Dritan Leli.

Gjatë diskutimit me kryetarët e bashkive, ministri Klosi theksoi se duhet punuar për një menaxhim më të mirë të vendgrumbullimeve të vogla, që nga fshati deri në qytetet e mëdha, me qëllim ndarjen në burim të mbejtjeve. Një sistem më i thjeshtë,do të ishte më efikas dhe do të zgjidhte problematikën e mbetjeve, në pritje të realizimit të zgjidhjeve afatgjata siç janë landfillet apo inceneratorët.

Duke i vlerësuar bashkitë si aleatët më të mëdhenj, ministri Klosi kërkoi mbështetjen dhe angazhimin e pushtetit vendor në zbatimin me sukses të fushatës “Clean and Green 2020”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb