TIRANË- Kalimi i pagesës së pensioneve në sistemin bankar është një nga objektivat e afërta të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Për këtë qëllim, ministri i MSR-së, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me drejtuesit e të gjitha bankave të nivelit të dytë në vend, të cilëve u kërkoi bashkëpunim për ta bërë të mundur që brenda një kohe sa më të shkurtër shumica e pensionistëve të mund ta tërheqin pensionin e tyre në sportelet e bankës ose në bankomatet e tyre. Në fjalën e tij ministri theksoi se nga 625 mijë pensionistë, sot vetëm 3 për qind e tyre e kanë të mundur të marrin pagesën përmjet bankës, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të qëndrojë në radhë dhe jashtë çdo cilësie shërbimi në pikat e shpërndarjes së pensioneve. “Jemi para domosdoshmërisë tjetër të kohës, për të bërë shumë hapa përpara. Aktualisht, shërbimi i pagesave të përfitimeve nga sistemi i Sigurimeve Shoqërore realizohet në 687 qendra pagese, nga të cilat 503 janë Zyra Postare në vartësi të filialeve të Postës Shqiptare, dhe 184 Degë dhe Zyra në vartësi të 13 Bankave të Nivelit të dytë.

Numri mesatar i pagesave të gjeneruara dhe autorizuara për pagesë çdo muaj, mesatarisht përllogaritet në mbi 625 mijë, nga të cilat, vetëm rreth 3 % e tyre kryhen në degët e bankave të nivelit të dytë. Ndërsa fondi mesatar mujor për pagesat e pensioneve arin në mbi 8.700 milionë lekë në muaj, vetëm rreth 3,4 % e tij shpërndahet nëpërmjet bankave”, – tha ministri Klosi. Më tej ai theksoi se kjo nismë nuk synon që ta bëj me detyrim për pensionistët që të kalojnë në shërbimin bankar, pasi kjo do jetë me vullnetin e lirë të tyre, pra duke krijuar mundësi që ai që do të qëndroj në sistemin postar mund të vijojë ta marrë pagesën për pensionin po aty.  “Edhe më përpara, por sidomos aktualisht, lëvizja e lirë e pensionistëve, ndërrimi i vend banimit nga ana e tyre, lëvizja jashtë shtetit dhe sidomos e drejta dhe kërkesa e tyre, për marrjen e pensioneve sa më pranë vendbanimit, si dhe garantimi i një shërbimi me kushte sa më optimal, kanë shtruar domosdoshmërinë e marrjes së masave për diversifikimin e shërbimit të pagesave të pensioneve”, – tha Klosi.

Për këtë qëllim ai kërkoi prej përfaqësuesve të bankave të përfundojnë brenda vitit marrëveshjet e dakordësuara me ISSH, të rritin publicitetin në bazë territori, në mënyrë që të nxisin pensionistët të hapin llogarinë bankare, për pagesën e pensionit. Për çdo llogari bankare të hapur për këtë qëllim, banka të njoftojë ISSH-në, i cili nga ana e tij brenda 10 ditëve bën procedurën e transferimit të pagesës dhe njofton bankën. “Ajo që presim nga bankat është: te instruktojnë degët, zyrat, stafet e tyre, për të qenë proaktive për këtë shërbim, ti japin rëndësinë e duhur publicitetit për një marrëdhënie direkte me klientin pensionist, të mos ngarkohet pensionisti me komision shërbimi, por si komision të pranohet komisioni që paguan ISSH, sipas marrëveshjes”, – tha Klosi. Përfaqësuesit e bankave e mbështetën nismën e zgjerimit të këtij shërbimi në të gjitha bankat dhe në të gjitha degët e tyre, ndërsa kërkuan zgjidhjen e çështjeve ligjore që mund të kërkojë realizimi I këtij procesi. Për këtë qëllim të pranishmit në këtë takim ranë dakord që MMSR, ISSH dhe shoqata e bankave të mund të hartojnë brenda pak ditësh një zgjidhje konkrete për të gjitha çështjet që nxjerrë ky proces.

Ndërsa Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho solli shifra duke evidentuar se në Shqipëri janë 450 mijë pensionistë dhe vetëm 17500 e tyre e tërheqin pensionin në bankë. “Kërkojmë dhe po punojmë me MMSR dhe ministrin Klosi për të shtuar numrin e pensionistëve që tërheqin pensionin përmes bankave të nivelit të dytë. Shpërndarja e pensioneve përmes sistemit të postës ka një kosto të lartë”, tha ajo.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb