TIRANE – Dita e parë e regjistrimeve, pranë shkollave të arsimit profesional, është pasuar nga një fluks kërkesash. Ministri i Mirëqenies sociale, Blendi Klosi zhvilloi sot një takim me drejtorët e shkollave profesionale, ku theksoi se po vijon puna për hartimin e projektligjit të ri për arsimin profesional.
Ndërkohë të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Profesional në kryeqytet bëjnë me dije se vetëm në ditën e parë janë regjistruar 408 nxënës. Më konkretisht, numrin më të madh të të regjistruarve e zë shkolla e mesme profesionale në Kamëz. Në këtë shkollë raportohet se ditën e djeshme janë regjistruar 109 nxënës.
Më pas vjen shkolla e ndërtimit “Karl Gega”, me 90 të regjistruar, dhe pastaj me radhë, në shkollën elektrike “Gjergji Canko” 76 nxënës, në Hoteleri-Turizëm 75 nxënës të regjistruar dhe në shkollën e mesme ekonomike 58 nxënës.
Ndërkohë, në të gjitha shkollat profesionale të vendit në këtë vit të parë numri i të regjistruarve ka shkuar në rreth 1900, kërkesë e lartë kjo, që duket se ka kaluar pritshmëritë e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Politikat qeverisëse, por edhe kërkesat e vendeve të zhvilluara për krah të kualifikuar pune, duket se kanë nxitur të rinjtë shqiptarë që ta kthejnë vëmendjen pikërisht nga arsimi profesional, i cili në vitet e kaluara s’preferohej.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: