TIRANË- Ministria e Mirëqënies Sociale dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e Fëmijëve me mbështetjen e partnerëve prezantuan sot një plan mobilizimi për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të organizatave të ndryshme në Shqipëri që operojnë në kuadër të të drejtave të njeriut, përfaqësues të biznesve e përfaqësues të qeverisë.

Gjatë aktivitetit të organizuar në ambientet e Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, ministri Blendi Klosi theksoi thjeshtësinë dhe dashurinë e këtij plani mobilizimi për të dëgjuar e për të qenë më pranë fëmijëve.

“Duhet të kuptojmë që qeveria shqiptare po ndërton një plan veprimi të thjeshtë, nuk duam që të jetë një fushatë sensibilizuese por duam të dimë sesi veprohet kur abuzohet me të drejtat e fëmijëve. “Unë mbroj fëmijët” nuk është një slogan por një zotim për çdo profesionist. Ky është një plan mobilizimi, jo thjeshtë një fushatë. Ndaj, ne duam që në 1 qershor të hapim një debat për të drejtat e fëmijëve, që të dimë më shumë sesi dhet të veprojmë dhe cilat janë problematikat apo rastet e abuzimi të të drejtave të fëmijëve. Ne duam që ky debat të jetë i shtrirë në nivel lokal e vendor. Ka ardhur koha që të bëjmë mekanizma të thjeshtë duke bërë këtë rrugëtim të gjithë së bashku”, nënvizoi Klosi.

Po ashtu, ai vuri në dukje këmbënguljen për të luftuar çdo rast abuzimi dhe shkelje të të drejtave të fëmijëve, duke u zotuar përpara të gjithë fëmijëve në të gjithë Shqipërinë.

Nga ana e saj, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla shprehu vendosmërinë për të garantuar cilësinë në edukimin që fëmijët e meritojnë. “Ne duhet t’i themi ndal çdo lloj forme të dhunës që ushtrohet ndaj fëmijëve. Ndaj besoj se ka ardhur koha që të gjithë si shoqëri të reagojmë fort ndaj fenomeneve të tilla negative”, tha ajo.

Ndërkohë që, zv/ministrja e brendshme Elona Gjebrea u shpreh se “ministria e Brendshme ka bashkëpunuar me ministritë e tjera apo organizata të ndryshme për të luftuar fenomene të tilla si çdo lloj forme e dhunës e ushtruar ndaj fëmijëve”.

Zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj nënvizoi rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve në këtë plan veprimi. “Unë besoj se përfshirja e fëmijëve në planin e veprimit është shumë e rëndësishme. Pasi, ndodh që kur ne hartojmë politika apo plane harrojmë të përfshijmë ata që përfitojnë. Dhe ky plan është ndryshe në këtë aspekt, pasi një nga elemenetët kryesore është përfshirja e fëmijëve. Ne duhet të krijojmë një mjedis të përshtatshëm për rritjen e fëmijëve”, nënvizoi zv/ministri i Shëndetësisë.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi. “Në emër të bashkisë së Tiranës unë dua të shpreh angazhimin për të identifikuar çdo rast abuzimi ndaj fëmijëve, duke dënuar çdo lloj forme të dhunës. Bashkia ka grupe në terren që identifikojnë raste të tilla”, tha ai.

Përfaqësuesja e UNICEF në Shqipëri, Antonela Scolamiero vlerësoi punën e qeverisë për të mbështetur të drejtat e fëmijëve. “Misioni i UNICEF është që të mbështesë qeveritë për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe kjo qeveri është për t’u vlerësuar, pasi e ka prioritet. Ne shpesh mendojmë për zgjidhje të sofistikuara, por harrojmë sa e thjeshtë është që të dëgjojmë zërin e tyre”, tha Scolamiero.

Nga ana e saj, një 14-vjeçare nga qyteti i Shkodrës, Danjela Strokaj, e pranishme në aktivitet tha për ATSH-në se “ne dua që të zbatohen më shumë të drejtat tona. Në Shkodër ka shumë fëmijë të ngujuar dhe shumë të tjerë që nuk mund të vazhdojnë shkollën”, tha ajo.

Ky plan, i cili do të zhvillohet edhe në formën e një fushate sensibilizuese do të shtrihet nga data 1 mars deri në 1 qershor në të gjithë vendin.

Sipas Agjencisë Shtetërore për mbrojtjen e fëmijëve, të gjithë kanë një rol për të luajtur, familja, shkolla, institucionet, biznesi, media, komuniteti ndaj sipas tyre është e nevojshme të krijohet një mjedis mbështetës, mbrojtës për fëmijët, një mjedis që nuk e pranon dhunën, që e refuzon atë dhe njëkohësisht ndjen si detyrë reagimin, mobilizimin kundër këtij fenomeni.

Plani i Mobilizimit ka për qëllim informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut mbi format e dhunës, abuzimit, shfrytëzimit dhe neglizhimit ndaj fëmijëve dhe pasojat negative që ato kanë në jetën dhe mirëqenien e fëmijëve si dhe në shoqëri.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb