Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u shpreh se, është e vështirë të flasësh për shifra konkrete të dëmeve në turizëm, nga situata e COVID-19.

Deklarata erdhi në studion e emisionit “Java në RTSH” ku Klosi theksoi se turizmi nuk është problematikë e momentit, por e gjithë sezonit që do të vijë gjatë vitit.

Megjithatë ministri shtoi se janë një sërë institucionesh që po punojnë për atë çfarë do të ndodhë pasi pandemia të përfundojë. Ai shtoi se ekspertët do t’i paraqesin qeverisë një plan tjetër të ndihmës për sektorin e turizmit.

“Koronavirusi e frenoi turizmin sezonal. Kjo situatë e krijuar nga pandemia globale ishte goditja e dytë në pak kohë për këtë sektor, pas tërmetit. Gjithësesi unë besoj se normaliteti do të kthehet gradualisht” – tha Klosi.
Ai u tregua optimist teksa e cilësoi turizmin si një sektor që do ta kurojë ekonominë.

“Turizmi nuk do të jetë pacienti zero i ekonomisë shqiptare. Përkundrazi, do ta kurojë atë. Këtë e them me bindje sepse turizmi është sektori që sjell më shumë para CASH në ekonominë shqiptare” – tha Blendi Klosi në studion e emisionit “Java në RTSH”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb