Ministri i Mjedisit Blendi Klosi tha se qeveria po bën shumë punë në drejtim të thithjes së turistëve në destinacione me bukuri natyrore në Shqipëri.

Klosi tha se qeveria ka shtuar numrin e shtretërve, ka shtuar masat për të pritur më shumë turistë. Ministri Klosi theksoi se qeveria po përgatit plan rajonal për zhvillimin e turizmit malor në zonën e veriut.

“Alpet shqiptare, ku bëjnë pjesë kryesisht dy Parqet tona Kombëtare, si: Lugina e Valbonës, Thethi, zona e Dukagjinit (Malësia e Madhe) janë destinacionet më të frekuentuara për turizmin malor, nga turistët në zonën e veriut. Zona me pasuri të jashtëzakonshme natyrore, por edhe me vlerat më të larta të biodiversitetit malor në vendin tonë. Tashmë nuk flasim më për një zonë të fshehtë apo për një zone, e cila nuk është pjesë e intenerarit turistik në rajon, por flasim për zona si: Valbona dhe Thethi, ku vetëm gjatë 2018, janë regjistruar 150 mijë turistë. Kemi pasur një zhvillim të rëndësishëm përsa i përket shtimit të kapaciteteve pritëse dhe rritjes së numrit të turistëve, në këto dy pole të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Pra, qoftë në Valbonë qoftë në Theth kemi disafishim të numrit të shtretërve, që do të thotë kemi kapacitete të shtuara turistike për të pritur shumë më shumë turistë”, tha ministri Klosi.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Sa i takon krijimit të një oferte të përbashkët turistike në rajon, Klosi tha se qeveria shqiptare ka nisur bisedimet me qeveritë e Kosovës dhe të Malit të Zi për projekte dypalëshe në zhvillimin e turizmit.

“Kemi filluar bisedimet me të dy qeveritë për të pasur mundësi që Alpet e Shqipërisë dhe Bjeshkët e Nemuna të Kosovës ti kemi Park Natyror Kombëtar të përbashkët, i cili mund të jetë fare mirë gjeneza e një turizmi të vërtetë në zonën e Alpeve, një industri e re, që nuk njeh kufij, një industri që bashkon interesat e 3 institucioneve politikbërëse të turizmit në një pikë të vetme. Si ta promovojmë, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë të aksesueshme për sa më shumë turistë, por edhe për të pasur një zhvillim më të kontrolluar. Po ashtu edhe me qeverinë e Malit të Zi dhe Maqedoninë e Veriut kemi të njëjtat dakordësi për sa i përket liqenit të Shkodrës dhe të Ohrit, për zhvillimin e një pakete turistike konkuruese në rajon dhe Europë”, tha ministri Klosi, i cili shtoi se këto plane të përbashkëta rajonale do të luajnë rol të rëndësishëm jo vetëm për të mirëadministruar zonat e mbrojtura në zonën e veriut, por edhe për të nxitur biznesin lokal dhe krijuar struktura që nuk e dëmtojnë mjedisin”,

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb