TIRANE

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht sot garën për Prokuror të Përgjithshëm. Prokurorët kanë afat 1 muaj për të aplikuar për kryeprokuror. Pas një muaji, KLP ka 45 ditë vlerësim për kandidatët për kryeprokuror. Më pas për kandidatët për Kryeprokuror të Përgjithshëm pritet Vettingu.

Më herët, KLP ka miratuar rregulloren mbi kriteret dhe procedurën për përzgjedhjen e kandidatëve për Prokurorë të Përgjithshëm me një mandat kushtetues 7-vjecar. Sipas KLP, rregullorja parashikon 4 kriteret kryesore për vlerësimin e kandidatëve për prokuror të përgjithshëm mes të cilëve kriteri profesional, kriteri moral dhe i integritetit, vlerësimi organizativ dhe drejtues dhe elemente shtesë për vlerësim (përvojë në jetën akademike, tituj shkencorë).

Mësohet se për postin e kryeprokurorit kanë shprehur interes për të garuar disa prokurorë, madje dhe kryeprokurorja aktuale e përkohshme Arta Marku.

Mësohet se përveç kandidimit të Arta Markut, prokurorët e tjerë që pritet të garojnë për këtë post janë  Olsian Çela, Adnan Xholi dhe Plarent Ndreca.

Gjithashtu SPAK ka miratuar kriteret dhe rregulloren për vlerësimin e kandidatëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, SPAK.

KLP ka theksuar se SPAK kërkon prokurorët më të aftë dhe rregullorja garanton 6 javë për shqyrtimin e dosjeve të kandidatëve. Brenda 2 javësh nga mbarimi i afatit të shqyrtimit të dosjeve do zhvillohet intervista me kandidatet të kualifikuar. Pas themelimit të SPAK, do të zgjidhet kreu i këtij institucioni.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb