TIRANE- Rreth 1.2 miliardë euro i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga abuzimet e administratës. Këto humbje kolosale financiare janë zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit pas auditimeve të kryera gjatë vitit 2015. Në raportin e publikuar nga KLSH, përmblidhen dëmi ekonomik, të ardhurat e munguara, masat disiplinore dhe administrative dhe kallëzimet penale të çuara në Prokurori për katër vitet e fundit.

Sipas raportit evidentohen dy lloje dëmesh të mëdha financiare, ai për parregullsi dhe shkelje financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera në vlerën e rreth 920 milionë eurove dhe dëmi për shkelje të disiplinës fiskale me ndikim negativ në performancën e institucioneve dhe ndërmarrjeve në vlerë mbi 257 milionë euro. Shkeljet më të mëdha sipas KLSH kanë konstatuar në fushën e prokurimeve publike, kthimin e pronës, privatizimet dhe tatime e dogana.

Në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive shtetërore shkeljet e konstatuara vlerësohen gjithsej në 733.4 milionë euro ku një numër bashkish rezultojnë të kenë lënë pa arkëtuar qiratë nga subjektet minerare në zonat e tyre apo koncesione të kundërligjshme. KLSH fut në këtë zë edhe Marrëveshjen e Mirëkuptimit me CEZ. Dëmi ekonomik i shkaktuar nga shkeljet në sektorin e tatim taksave arrin në 92 milionë euro. Sipas raportit janë zbuluar abuzime në koncesionet e hidrokarbureve për shmangie të taksave e TVSh-së apo edhe në sektorin e shëndetësisë ku janë vërtetuar shkelje nga Agjencia Kombëtare e kontrollit të barnave për rimbursim barnash në mënyrë të paligjshme për kompani farmaceutike.

Në sektorin e doganave dëmi nga korrupsioni sipas KLSH vlerësohet në 31 milionë euro, ku në degët doganore të Durrësit, Vlorës, Fierit, Kakavijës, Qafë Thanës dhe Bllatës janë evidentuar detyrime doganore nga mospagimi i rentës minerare për eksportet. 19 milionë euro dëme janë shkaktuar edhe nga abuzimet në prokurimet publike për 79 institucione. Shkelje të rregullave janë zbuluar edhe në shpenzimet operative. Bëhet fjalë për karburantin, dietat apo shpenzimet administrative pa kriter. KLSH ka evidentuar gjithashtu edhe dëme të tjera në shkelje të ligjeve të urbanistikës, të shpërblimeve të përfituara në kundërshtim me vendimet e qeverisë si dhe përfitime pagesash të tepërta.

Mbi këto abuzime nga ana e KLSH-së janë bërë 51 kallëzime penale për 159 persona, mes të cilëve drejtues të rangut të mesëm dhe të lartë, ku përfshihen edhe një ministër, një sekretar i përgjithshëm ministrie, një drejtuese institucioni qendror (në rang ministri), si dhe tre kryetarë bashkie.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: