TIRANË- Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori drejtorin e Ujësjellës Kanalizimeve, Korçë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi nuk ka përllogaritur vlerën totale të humbjeve në rrjet. KLSH gjithashtu i ka rekomanduar Këshillit Mbikëqyrës të shoqërisë, largimin nga detyra të tij.

Sipas KLSH-së nga auditimi, rezultoi se shoqëria “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë, prej vitesh ka vazhduar të planifikojë dhe miratojë një koeficient të humbjeve në rrjet prej afro 25% në vit. Mënyra e përllogaritjes së këtij koeficienti nga ana e shoqërisë, linte jashtë analize diferencën e madhe që KLSH konstatoi ndërmjet numrit të familjeve dhe subjekteve private të cilat nuk kishin lidhur kontratë me këtë shoqëri. Sipas KLSH-së bëhet fjalë për rreth 8000 familje dhe 700 subjekte private.

“Investimet e këtyre viteve në vlera të konsiderueshme në gjithë rrjetin e ujësjellësit, që nga prodhimi e deri tek konsumatorët, nuk justifikojnë ruajtjen e të njëjtit koeficient të humbjeve në rrjet. Kjo neglizhencë dhe ky keqmenaxhim nga ana e drejtuesve të shoqërisë, ka sjellë si pasojë faktin që vlera totale e mosfaturimit të këtyre humbjeve në rrjet, nga viti 2012 deri në 9 mujorin e parë të 2014 të jetë 178,4 milionë lekë, ose 26,5 % e prodhimit”, bëhet e ditur nga auditimi i KLSH-së.

Lidhur me investimin e kryer në 2013-ën nga “Ujësjellës Kanalizime”, sh.a Korçë që sipas shoqërisë do të influenconte ndjeshëm në uljen e humbjeve në rrjet për financimin dhe instalimin e matësve të ujit, në vlerën 3,623,739 euro, KLSH konstatoi që kontrata ishte lidhur dhe zbatuar tërësisht në kundërshtim me procedurat ligjore të prokurimit publik dhe atyre për huamarrjen e qeverisjes vendore, të përcaktuara në ligjin “Për prokurimin publik”.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb