TIRANË

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka reaguar mbi draft-raportin e KLSH-së mbi implementimin e sistemeve të IT në FSDKSH. Në reagimin thuhet se në asnjë rast, AKSHI nuk ka kontraktuar më shumë se fondi limit, përkundrazi, janë kursyer para të taksapaguesve.

“Bëjmë me dije se në zbatim të vendimit nr. 673 të Këshillit të Ministrave, datë 22.11.2017, AKSHI është përgjegjës për hartimin e termave të referencës, në bashkëpunim me institucionin përfitues, zhvillimin e procedurës së prokurimit për kontraktimin e atij shërbimi, si dhe implementimin, përmirësimin, apo mirëmbajtjen e një sistemi IT ose infrastrukture hardëare, sipas rastit.” thuhet në reagim.

Në një raport të pak ditëve më parë, KLSH zbuloi skemën e abuzimit me fondet publike, si u rrit me 2 milionë euro vlera e 3 projekteve të FDSKSH.

Pjesë nga raporti i KLSH:
Në zbatim të legjislacionit aktual, parashikimet në Projekt Buxhetin Afatmesëm (PBA) 3-vjeçar, specifikisht në Regjistrin e Parashikimeve për Investime (siç bëhet fjalë në rastin konkret) kryhen nga institucioni përfitues për investime, pa përfshirë vlerën e mirëmbajtjes së sistemit/infrastrukturës.
Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) në auditin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor mbi zbatimin e buxhetit 2019 -2020 gjeti së paku 2 milionë euro tenderime mbi fondet e parashikuara në buxhet në vetëm tre tendera. “ E njëjta procedure u ndoq edhe për projektin “Regjistri Elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes”. Vlera e parashikuar për fondet e investimit për këtë kontratë nga FDSKSH është në shumën 80 milion lekë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë parashikim për kosto të mirëmbajtjes.

Ndërkohë AKSHI ka lidhur kontratën në mars 2019 me çmim total 215,664,000 lekë me TVSH (nga e cila 55,752,000 lekë mirëmbajtje për 2 vjet dhe 159,912,000 lekë vlera e investimit). Përveçse prokuroi mirëmbajtjen pa pasur fonde në dispozicion, KASH e prokuroi vlerën e investimit për këtë projekt dyfishin e vlerës që kishte parashikuar FDSKSH.

Të njëjtën praktike AKSH ndoqi edhe për projektin “Përmirësimi i dhomës së serverëve për FSDKSH”. AKSH e prokuroi këtë shërbim me kompaninë ABS me vlerë 94.2 milion lekë me TVSH (nga e cila 54 milion lekë vlera e investimit dhe 40.2 milion lekë vlera e mirëmbajtjes për 4 vite) ku përfitues ishte FSDKSH. Ky prokurim sipas KLSH-se u bë në kundërshtim me afatin 15 tetor të përcaktuar në ligjin nr. 9936 datë 26.06.2008 “Për menaxhimin e 138 sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për marrjen e angazhimeve dhe pa pasur në dispozicion në momentin e lidhjes së kontratës fondin e miratuar në FSDKSH.

Ky shërbim u kontraktuar nga AKSHI me një vlerë shumë më të lartë se parashikimet në buxhetin e FSDKSH-së, ku financimi i këtij programi në vitin 2019 ishte programuar 54 milionë lekë.
KLSH gjeti se vetëm në tre projekte AKSHI nënkontraktoi 2 milionë euro më shumë se parashikimet e FDSKSH për këto kontrata duke u bërë kështu shkak për krijimin e detyrimeve të prapambetura.

Reagimi nga AKSHI: 

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit kërkon të sqarojë opinionin publik mbi disa keqinterpretime në medien online të një draft-raporti të KLSH-së mbi implementimin e sistemeve të IT në FSDKSH. Në asnjë rast, AKSHI nuk ka kontraktuar më shumë se fondi limit, përkundrazi, janë kursyer para të taksapaguesve.

Bëjmë me dije se në zbatim të vendimit nr. 673 të Këshillit të Ministrave, datë 22.11.2017, AKSHI është përgjegjës për hartimin e termave të referencës, në bashkëpunim me institucionin përfitues, zhvillimin e procedurës së prokurimit për kontraktimin e atij shërbimi, si dhe implementimin, përmirësimin, apo mirëmbajtjen e një sistemi IT ose infrastrukture hardware, sipas rastit.

Në zbatim të legjislacionit aktual, parashikimet në Projekt Buxhetin Afatmesëm (PBA) 3-vjeçar, specifikisht në Regjistrin e Parashikimeve për Investime (siç bëhet fjalë në rastin konkret) kryhen nga institucioni përfitues për investime, pa përfshirë vlerën e mirëmbajtjes së sistemit/infrastrukturës.

Theksojmë se FSDKSH:

Për projektin me objekt “Zhvillimi i software moduli i depove farmaceutike” ka parashikuar 100 milionë lekë, me TVSH, të ndarë në 50 milionë lekë për vitin 2018 dhe 50 milionë lekë për vitin 2019.
Kontrata e lidhur nga AKSHI ka si vlerë implementimi rreth 92 milionë lekë, me TVSH.
Pra, rreth 8 milionë lekë më pak se sa parashikimi i FSDKSH.

Për projektin me objekt “Përmirësimi i dhomës se serverëve” ka parashikuar 54 milionë lekë, me TVSH.
Kontrata e lidhur nga AKSHI ka si vlerë implementimi shumën 54 milionë leke, me TVSH.
Pra, asnjë vlerë mbi parashikim.

Për projektin me objekt “Regjistri Elektronik për formularët e vizitave të mjekut të familjes” ka parashikuar:
Ndërtimi i regjistri elektronik të rekordeve shëndetësore të pacientit – rreth 95 milionë lekë për vitin 2018.
Upgrade dhe integrimi i sistemit elektronik për formularët e e-vizitave të mjekut të familjes – rreth 140 milionë lekë (60 milionë lekë për vitin 2018 dhe 80 milionë leke për vitin 2019).
Totali: 235 milionë lekë
Grupi i punës, i përbërë nga përfaqësues të AKSHI-t dhe FSDKSH-së, i ngritur për hartimin e termave të referencës ka gjykuar të vlefshëm integrimin e dy projekteve në një projekt të vetëm për mirëmenaxhimin e fondeve duke qenë se dy projektet kanë pikëprerje në disa funksionalitete.
Pas hartimit të termave të referencës, dhe kryerjes së procedurës së prokurimit vlera e kontraktuar për implementimin e sistemit të integruar ka qënë rreth 190 milionë lekë, me TVSH.
Pra, 45 milionë lekë me pak se sa parashikimi i FSDKSH.

Siç vihet re qartë, asnjë nga projektet nuk është kontraktuar nga AKSHI mbi vlerën e parashikuar nga FSDKSH, por përkundrazi janë kursyer para.

Vlera e parashikuar nga FSDKSH në tabelen PBA 2019-2021 i përket vlerës së investimit.

Ndërkohë që vlera të cilës i referohet KLSH është vlera totale e projektit, duke përfshirë edhe koston e mirëmbajtjes së sistemeve e cila nuk është pjesë e parashikimeve të mësiperme, bazuar kjo në legjislacionin në fuqi.

Vlerat e shërbimit të mirëmbajtjes parashikohet dhe trajtohet nga një tjetër zë buxhetor.

Ajo që KLSH nuk trajton në këtë raport, dhe që media nuk analizon janë aspektet pozitive që ne kemi përftuar nga dy sistemet e mësipërme, përkatësisht e-vizita dhe e-depo.

Në një përshkrim të shkurtër, po ndalemi tek vlerat që këto sisteme i kanë sjellë qytetarëve, bizneseve, dhe administratës publike:

e-vizita:

-Ngritja e sistemit elektronik për menaxhimin e vizitave mjekësore te mjeku i familjes
-Ndërveprim me sistemet e tjera qeveritare me qëllim shmangien sa më shumë të punës manuale të mjekut dhe infermierit ne hedhjen e të dhënave të pacientit.
-Historik elektronik i diagnozave dhe të dhënave shëndetësore të pacientit.
-Ndërlidhje me sistemin e recetës elektronike dhe sistemin e referimit elektronik për të plotësuar dosjen e pacientit.
-Monitorim në distancë të stafit mjekësor në zbatimin e protokolleve mjekësore.
-Rritje e efikasitetit të punës së mjekut nëpërmjet aksesimit të 4 sistemeve të mjekut të familjes nga një dritare e vetme.
-Ulje e abuzimeve nga institucionet shëndetesore në regjistrimin e vizitave fiktive për përfitimin e fondeve financiare nga ministria.

e-depo:

-Inspektim online nga stafi i FSDKSH duke shmangur vajtjet e shpeshta të inspektoreve pranë subjekteve private.
-Ndërveprim me sistemin e fiskalizimit, dhe me sistemet financiare te Depove farmaceutike për të shmangur hedhjen e të dhënave në disa sisteme nga stafi i subjektit privat
-Transparencë dhe monitorim në kohë reale për marrëdhënien Depo-Farmaci në lëvizjen e barnave duke shmangur raportimet fiktive pranë FSDKSH.
-Administrim në kohë reale të hyrje-daljeve nga importuesit/prodhuesit, depot, e deri te farmacitë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb