“Ky është realiteti i jetës në Shqipëri. Këto rezultate janë pasqyrë e kampionatit, kështu që askush të mos surprizohet. Vuajtje, mjerim dhe shumë… p*rdhë”. Rudi Vata është i drejtpërdrejtë kur pyetet për dështimin e klubeve shqiptare në Kupat e Europës dhe e ka shumë të qartë pse skuadrat tona nuk bëjnë dot hapa para. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Kombëtares i bën një analizë asaj që prodhoi muaji korrik për katër ekipet që morën pjesë në kompeticionet e UEFA-s, nga ku vetëm Laçi kaloi një tur.

Rudi, që në fillim thatë që nuk jeni i surprizuar për dështimin e klubeve tona në Kupat e Europës. Pse mendoni kështu?

Mendoj kështu, sepse sinqerisht e lidh çdo gjë me jetën sociale në Shqipëri. Çfarëdo e mirë dhe e keqe që ndodh në Shqipëri, edhe futbolli nuk ka se si shkëputet. Duke qenë se jemi një vend me probleme të mëdha në të gjitha aspektet, sigurisht që nuk mund të presësh të kesh prodhim më të madh se kaq. Nuk mund të kesh rezultate të mira në një vend ku ekziston nepotizmi dhe korrupsioni. Këtu unë fus edhe shitblerjen e ndeshjeve. Për mua, një lojë që fiksohet është e korruptuar. Pastaj, investimet që bëhen në futbollin tonë, mendoj se janë pa llogari profesionale.

Në ç’kuptim pa llogari profesionale?

Për shembull klubet tona investojnë te shumë futbollistë të huaj, ku shumica prej tyre kanë cilësi ordinere. Ekipet shqiptare nuk kanë durim, në një kohë që duhet të punojnë me një tjetër strategji. Në aspektin financiar është shumë e vështirë që të përballosh një futboll të varfër pa të ardhura nga marketingu, e drejta televizive dhe shitja e biletave. Pra, nuk mund të përballosh lojtarë që merren me vlera mijëra euroshe. Këtu investohet në mënyrë të gabuar, ndërsa qëllimi i vetëm i klubeve elitare është të jenë pjesë e Kupave të Europës. Për mendimin tim llogaritë bëhen gabim dhe këtu nisin problemet me deficite financiare, stabiliteti dhe ekuilibra që prishen. Kur humb objektivin, sigurisht duhet të humbësh edhe ekuilibrat. Këta duan të mbërrijnë në Europë dhe të kapin diçka nga bonuset e UEFA-s.

Gjithsesi, mundësitë për të bërë më mirë në një kompeticion si Liga e Konferencës ishin, pasi në turin e tretë janë kualifikuar edhe disa klube me nivel futbolli më të ulët se Shqipëria…

Kur t’i punon si duhet, rezultatet do të vijnë. Jam i bindur se në të gjitha drejtimet këtë edicion klubet shqiptare kanë marrë atë që kanë punuar. Nuk kanë punuar për më tepër dhe për këtë duhet të jemi koshientë. Nëse ne kemi pretendime që kjo punë që kanë bërë është e mjaftueshme që të kalojnë disa ture, është llogari tjetër. Në vizionin tim, nuk kanë punuar për më tepër, edhe pse mund ta kalonin një tur më shumë, por kjo nuk do të bënte ndonjë diferencë të madhe. Nuk do të habitesh duke thënë: Uaaaa! Në Ligën e Konferencës, klubet po të jenë pak më mirë të organizuara, sigurisht që mund të shkojnë deri në “play off”. Aty janë skuadra të vendeve të vogla që po ecin shumë dhe kjo tregon se ku jemi ne si kampionat shqiptar. Nëse ne jemi mburrur me Skënderbeun që u dënua në mënyrë shembullore, atëherë jemi gabim, sepse pas gjithë atij progresi që bëri, përfundoi në gropë të madhe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: