TIRANE- Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka reaguar sot në lidhje me arrestimin e Kryetarit të AAK-së z. Ramush Haradinaj mbështetur në një kërkesë të Serbisë të viti 2006 drejtuar Interpolit, e cila nuk u shfuqizua deri më sot ndonëse z. Haradinaj kishte fituar pafajësinë para Tribunalit të Hagës.

KMDLNJ e quan trajtim diskriminues mënyrën se si u ndalua z. Haradinaj, ndërsa shton se e njëjta taktikë është ndjekur edhe kur është arrestuar Agim Çeku, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj dhe disa ish luftëtarë të UÇK-së.

“Autoritetet sllovene, në aeroportin e Lubjanës gjatë arrestimit e kanë prangosur z. Haradinaj për ta liruar pas pak, i kanë konfiskuar pasaportën dhe e kanë vendosur në një dhomë ndalimi në aeroport deri në kohën kur ka dalë para gjykatës në Kranjë, pas së cilës është liruar me ndalim të largimit nga territori i Sllovenisë deri në përfundim të procedurës gjyqësore. KMDLNj vlerëson se z. Haradinaj padrejtësisht është arrestuar dhe ndaluar në Slloveni në bazë të një urdhërarresti nga Serbia dhe për këtë mbanë përgjegjëse autoritetet sllovene që kanë ndalur mbi vendimet e Tribunalit të Hagës të cilin e kanë pranuar të gjitha shtetet e BE-së dhe të cilat nuk e kanë penguar z. Haradinaj gjatë hyrjes apo vizitave në ato shtete për çka autoritetet sllovene janë të informuara. Spastrimi i listave pas vendimit të Gjykatës së Hagës është dashur t’i shtrohet si kusht Serbisë nga bashkësia ndërkombëtare sikur që edhe autoritetet kosovare, si pikë e veçantë e bisedimeve do ta shtronin pikërisht spastrimin e listave të fabrikuara nga shërbimet e inteligjencës serbe. Është paradoks që një kryetar partie dhe njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës të trajtohet në atë mënyrë”.

“Trajtimi i z. Haradinaj dhe politikanëve të tjerë kosovarë që ishin arrestuar më parë është një fakt se si trajtohet Kosova në planin ndërkombëtarë. Autoritetet sllovene janë të informuara shumë mirë se çka ka ndodhur në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe ku është adresa e përgjegjësisë sepse edhe vet Sllovenia e ka pësuar nga fabrikuesi i aktakuzave e që është Serbia. Ky është paradoks i llojit të vet prandaj autoritetet sllovene kanë për detyrim t’i kërkojnë falje publike z. Haradinaj sikur që edhe autoritetet kosovare duhet të jenë më të vendosura për lirimin dhe kthimin e z. Haradinaj në Kosovë. Ndonëse është liruar z. Haradinaj i mohohet një e drejtë elementare e njeriut e ajo është liria e lëvizjes të cilën e ka të mohuar nga autoritetet sllovene dhe Serbia”,-sqarohet më tej.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: