TIRANE– Bashkëpunimi i Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuadër të protestës së opozitës kundër qeverisë Rama, ka zgjuar zërat për një koalicion mes këtyre dy forcave politike në zgjedhjet e ardhshme. Por sipas ish-Presidentit Bujar Nishani është shumë herët për ta thënë diçka të tillë.

Në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën në “News24”, Nishani ka përmendur edhe koalicionin në Gjermani, por thotë se këtë shembull nuk e paralelizon me rastin shqiptar.

“Nuk di ta them. Është shpejt ta gjykosh. Psh, shikoni çfarë po ndodh në Gjermani. Për shkak të një koalicioni të madh mes dy partive me ideologji të ndryshe, dhe rrethanave madhore që janë sot në Gjermani, bën që këto dy parti të ribashkohen në koalicion. Nuk po e marr këtë për paralelizëm me rastin shqiptar. Por besoj se qeverisja në Shqipëri do të vijë me kristalizimin e platformave. Ne këtë nuk e kemi ende. Do të shohim sesi do të evoluojnë punët në Parlamentin shqiptar”, tha ai.

Ish-ministri i Brendshëm në qeverisjen e PD, thotë se Parlamenti shqiptar duhet të hapë një hetim të madh parlamentar për situatën me kanabisin dhe trafikun e lëndëve narkotike.

“Shpresoj që Parlamenti të hapë një hetim të madh për situatën me kanabisin. Tashmë është vërtetuar nga antimafita italiane se janë përdorur paratë e kanabisit në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e fundit. Përveç çështjeve penale që heton prokuroria, në aspektin institucional dhe politik i takon Parlamentit të hapë një hetim të madh parlamentar, dhe rezultatet e këtij hetimi t’i bëhen të qarta qytetarëve shqiptarë, dhe dy partnerëve strategjikë ndërkombëtarë që ka Shqipëria, Kongresit Amerikan dhe Parlamentit Evropian”, theksoi Nishani.

I pyetur lidhur me reagimin e kryetares së LSI ndaj kryeministrit Rama, të cilin e qëlloi me çizme në sallën e Parlamentit, Nishani tha se për të ka rëndësi parimi dhe produkti që vjen nga sjellja politike.

“Në kulturën time politike nuk interpretoj qëndrime personale. Mua më intereson parimi, dhe ajo çka vjen si produkt i një sjellje politike, brenda asaj që unë e konsideroj si një sjellje politike, dhe në përshtatje me rrethanat. Kryemadhi është një politikane e hershme, me shumë eksperiencë, me dinamizëm shumë të madh, kështu që ajo punon dhe do të vazhdojë të punojë për interesat e partisë së saj politike, por LSI dhe menaxhimi dhe vizioni e drejtimi i saj është fokusuar pikërisht tek ndryshimi i realitete të kësaj “status quo-je” që është rrënues për ne. Ky është një qëndrim i mbështetur edhe nga opozita, edhe nga ato parti të vogla që nuk janë brenda këtyre dy krahëve të mëdha të politikës”, tha ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb