Në nisje të mbledhjes së Këshillit Politik, përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi foli me tone të ashpra dhe akuzoi mazhorancën për prishje të marrëveshjes së 14 janarit, bllokim të mbledhjes së Këshillit Politik dhe rëndim të ngërçit mes palëve.


Sipas tij, mazhoranca po mban peng dërgimin e kërkesës së tyre tek OSBE-ODIHR, institucion nga i cili opozita e Bashkuar pret opinion për çështjen e garimit të lirë në zgjedhje me koalicionet siç janë sot.

“Ka më shumë se dy javë që opozita i ka kërkuar si pikë të parë të rendit të ditës të Këshillit Politik që t’i drejtohemi ODIHR-it, për të kërkuar opinionin e tyre ekspert për çështjen që na ndan në mënyrë thelbësore, çështjen e garimit të lirë të partive politike në koalicione, siç janë sot të caktuara në Kodin Zgjedhor, e cila është në përputhje të plotë me Kushtetutën.

Ka dy javë, më shumë se dy javë, që Partia Socialiste refuzon të dërgojë kërkesën në ODIHR, që është shkelje e drejtpërdrejt e marrëveshjes së 14 Janarit. Me këtë veprim, Partia Socialiste po pengon dhe po bllokon Këshillin Politik dhe sigurisht, nëse vazhdon me këtë rrugë, nëse vazhdon edhe sot, këto janë veprime që dëmtojnë thellësisht procesin konsensual të Reformës Zgjedhore, dhe vë në rrezik edhe hapjen e negociatave dhe procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.”- tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: