Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” me Sali Berishën dhe LSI në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit është bërë temë diskutimi në emisionin e sotëm “Pikat mbi i”, në News24.

Analisti Fatos Lubonja ka dalë në mbështetje të këtij koalicioni, teksa është shprehur se ai vetë do ta quante “Fronti i Lirisë” dhe jo “Shtëpia e Lirisë”. Teksa iu bëri thirrje edhe intelektualëve që t’i bashkohen, Lubonja tha se do donte që ky koalicion të fitonte përballë regjimit të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, analisti Artur Zheji tha se të gjithë politikanët shqiptarë kanë bërë gabime të mëdha në këto 30 vite dhe për fajin e tyre Shqipëria ndodhet sot në këtë derexhe.

Pjesë nga diskutimet:
Zheji: Pritej që Berisha të dilte në këto zgjedhje me kandidatë të pavarur, pra të rrinte në atë frymë me të cilën filloi foltoren. Por, kemi një situatë, kur mund të themi që praktikisht detyrimi për të zgjedhur një ekuacion konkret politik kishte nevojë për disa teknikalitete. Etiketa “Shtëpia e Lirisë” është një logo, një sigël, por kemi një garim të kandidatëve të Berishës nën regjistrimin e LSI. Pra, duke ditur që demokratët nuk e kanë pëlqyer që më 2009 koalicionin me Metën, edhe pse ishte shpëtimtar, mendoj se kjo do të ketë nevojë shumë për shpjegime për ta shpjeguar si gjetje, nga ana e Berishës. Problemi është a do ta pranojnë zgjedhësit demokratë këtë? Kjo është pikëpyetja. Do të ketë një lëkundje të konsiderueshme për të asimiluar këtë gjetje.

Lubonja: Unë e shikoj këtë si një bërthamë rreth të cilës do duhet të grumbullohen të gjithë shqiptarët. Që këtu nuk është më çështje as oligarkie, por këtu është për të shpëtuar nga monizmi oligarkik, që ka kapur gjithçka, edhe opozitën zyrtare në një farë mënyre. Kjo është një gënjeshtër e madhe që kërkohet t’iu imponohet shqiptarëve. Edhe atë nismën për shkarkimin e Metës unë e shikoj Ramën si arkitektin e kësaj, që ka punuar për një kohë të gjatë për eliminimin e çdo kundërshtari. Gjykoj se jemi në një situatë ku duhet të bashkohen të gjitha forcat, edhe intelektualët, në këtë front të lirisë. Unë kam qenë protagonist i një akti, që shumë e kanë quajtur të pamoralshëm. U bashkova më 1999 me PS, që ishte trashëgimtare e një regjimi, që më kishte futur në burg. Por, gjykoja se politikisht një bashkim i të gjitha forcave kundër Berishës në atë kohë ishte i rëndësishëm. Këtu është çështja e gjykimit politik. Situata është se ka një projekt për të na nënshtruar të gjithëve ne dhe eliminimi i Metës dhe Berishës është në këtë kuadër. Ata vetë mund ta meritojnë goditjen, por politikisht eliminimi i tyre do të thotë instalim edhe më i fortë i regjimit, meqenëse Lulzim Basha nuk është në lartësinë e një lideri politik, është nënshtruar.

Zheji: Nuk e mbivlerësoj Ramën. Duke e quajtur Ramën përgjegjës për gjithë këto procese, do ishte komplimenti më i madh që do i bëja Ramës. Hiperbolizimi i kapaciteteve të Ramës do të thotë që ky është një ‘puparo’, siç thonë italianët, pra ai që lëviz kukullat. Nëse Rama lëviz Erdogan, Blinken, Berishën, Metën e Bashën, atëherë kot qenka kjo punë, ai qenka gjysmëperëndi. Unë mendoj se kemi ardhur në këtë pikën ku jemi sot, nga një shumatore gabimesh që të gjithë këta faktorë politikë kanë bërë në kohë. Kemi ardhur deri këtu, sepse gabimet akumulohen. Unë nuk mund ta mbivlerësoj Ramën në këtë pikë dhe të nënvlerësoj gabimet që kanë bërë të tjerët. Këtu tani jemi në një moment, ku duhet zgjidhje emergjente. Shqipëria ka parë shumë gjëra dhe do të zgjidhet edhe kjo, por nuk mendoj se është Rama arkitekt i kësaj. Po e thamë këtë, është falimentim.

Lubonja: Padyshim që kanë pasur gabime Meta, Basha, Berisha. Gabimi ka qenë që nuk kanë vlerësuar strategjinë e Ramës për të kapur gjithë pushtetet, duke shfrytëzuar njërin kundër tjetrit, reformën në drejtësi, ambasadorët. Ky është gabimi në strategjinë politike, që sot po e vuajnë. Ky super i korruptuari, bashkë me të tjerët, kërcënonin tjerët me reformën në drejtësi, ndërsa vetë nuk kishin frikë, sepse e dinin që do ta kapnin reformën. Unë jam në tezën që ky nuk rrëzohet me votë të lirë. Nëse Lulzim Basha ka hallin të mbajë dyqanin e PD aty dhe jo të bëjë opozitë, ai mund ta bëjë, por unë pres që “Fronti i Lirisë” dhe jo “Shtëpia e Lirisë” të krijohet sa më parë. Do fitojë ndoshta fronti i diktaturës, por unë luftoj në këtë front për vete.

Zheji: Shumatorja e gabimeve që kanë bërë aktorët politikë në këto 30 vite, e kanë çuar Shqipërinë në këtë derexhe. Nuk po hyj të them gjëra të rënda. Ne kemi një pjesë shumë të pasur, nuk e di a kemi shtresë të mesme, dhe kemi një shtresë të varfër. Unë them se këta janë të barabartë, nuk kanë ditur të nxjerrin mësim nga gabimet që kanë bërë dhe për këtë janë shumë të vetëdijshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb