Kryeministri Edi Rama sulmoi koalicionin opozitar, teksa tha nga Elbasani se PD dhe LSI kanë një kontratë, ku sipas tij, pjesa e fshehtë e saj tregon përgjegjësinë që do të marrë në qeverinë e nesërme Monika Kryemadhi dhe çeta e saj e harbuar.

Mes të tjerash, kryeministri thekson se të gjithë ata që janë pjesë e koalicionit, janë pengmarrësit e çdo mundësie për të zhvilluar një qeveri normale. Ndërsa foli dhe për taksën e sheshtë, duke thënë se rikthimi i saj do të zvogëlojë automatikisht pagën e gjithë pjesë së madhe të shoqërisë, që sipas Ramës, punon fort për të çuar një pagë në shtëpi.

“Ata kanë një kontratë, ku pjesa e fshehtë thotë se çfarë do të marrë në përgjegjësitë e qeverisë së nesërme Monika Kryemadhi, bashkë me gjithë çetën e saj të harbuar. Ndërkohë demokratëve iu thuhet votoni PD, po për cfarë? Për të marrë Monika Kryemadhin, apo për të rreshtuar në qeverinë e nesërme Gon Dukën, Nard Ndokën, Mesilën, Dash Shehin, e plot të tjerë që cfarë mund t’i ofrojnë Shqipërisë e shqiptarëve, kur i kanë pasur gjithë shanset për të treguar kush janë dhe e kanë treguar. Është një koalicion ku Saliu-Iliri-Monika i bëjnë karshillëk dynjasë, SHBA, BE, rajonit tonë, me një program që është i njëjti, ngjan si dy pika uji me programin e prodhuar, të dështuar, duke pasur mungesën e plotë të sekëlldisë më të vogël me rikthimin e taksës së sheshtë. Taksë e sheshtë për të vënë të gjithë ata që fitojnë më pak, të paguajnë më shumë, dhe për t’iu dhënë atyre që fitojnë më shumë, të paguajnë më pak.

Taksë e sheshtë për të rikthyer një barrë të padrejtë taksimi mbi mësuesit, mjekët, policët, punonjësit e këtij shteti, apo mbi kamarierët, shoferët, kuzhinierët, mbi gjithë atë pjesë të madhe të shoqërisë sonë që punon fort për të cuar në shtëpi një pagë, që zvogëlohet automatikisht me taksën e sheshtë. Ata s’i kanë dhënë vetes kohë as të mësojnë, as të fusin ndonjë gjë në kokë, se kanë qenë rrugëve duke destabilizuar. A e kuptoni se gjithë këta që janë pjesë e këtij koalicioni, janë pengmarrësit e cdo mundësie për të zhvilluar një qeveri normale, sepse do të kërkojnë copën. Gon Duka ministër Bujqësie. Shpëthim Idrizi me Vangjel Dulen duan të kthehen në qeveri, edhe Nard Ndoka, që nga gjithë këta i takon më shumë, se të paktën na bën të qeshim. Duhet pasur parasysh se ajo do të jetë qeveria e Monikës dhe Ilir Metës. Kjo fushatë nuk do të ketë tiparin e fushatave të tjera, me turma njerëzish, muzikë, zhurmë, por do të na japë më shumë mundësi për të folur për cështje, për programin. Koalicioni opozitar është KCK, kap ca të kapësh, fut këtë fusësh”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb