TIRANE- Pasi Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet iu bashkua koalicionit të partive opozitare, duke braktisur kështu PS-në, vjen reagimi nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Përmes një statusi në ‘Facebook’ Kryemadhi tha se ky koalicion është një zhvillim pozitiv në përpjekjet për të çmontuar qeverinë e Edi Ramës.

Teksa vlerësoi vendimin e PDIU-së së Shpëtim Idrizit, Kryemadhi theksoi se opozita mirëpret çdo bashkëpunim politik për të luftuar sipas saj të keqen.

REAGIMI I KRYEMADHIT
Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është padyshim një zhvillim pozitiv në përpjekjet për të çmontuar dhe për t’u përballur me qeverinë banditeske të Edi Ramës.

Zgjerimi i spektrit politik opozitar është një lajm i mirë për të gjithë shqiptarët, që çdo ditë e më shumë po kuptojnë dhe provojnë mbi shpatullat e tyre pasojat e qeverisjes nga Edi Rama, një kryeministër që po i çon shqiptaret në zgripin e varfërisë dhe paturpësisht përdor demagogjinë për të fshehur skamjen, hajdutërinë e pushtetarëve, krimin dhe banditizmin e politikës.

Afrimi i PDIU-së në koalicionin opozitar është njëkohësisht shenjë e mbarë se opozita e bashkuar po shkon drejt zgjerimit dhe unifikimit të qëndrimit të saj me një spektër më të gjerë të politikës. Ky duket të jetë një proces i pakthyeshëm, që tashmë veç afrimit të partive politike do të prekë edhe shoqërinë civile, profesionistët e nderuar dhe të gjithë ata qytetarë që tashmë e kanë kuptuar se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim drastik, atë të ndarjes së krimit nga politika dhe vendimmarrja.

Ky është misioni ynë si parti dhe koalicion opozitar!

Ne mirëpresim çdo bashkëpunim politik dhe jo vetëm, për të luftuar së bashku kundër së keqes më të madhe që ka parë Shqipëria këto 25 vitet e fundit, atë të kriminalizimit të politikës dhe të shtetarëve!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb