Gazetari dhe analisti Artur Zheji i ftuar në emisionin “Pikat mbi i” në News24 ka folur mbi koalicionin e opozitës Berisha-Meta, ku deklaroi se kreu i Partisë së Lirisë mund të kthehet në një king-maker sërish duke luajtur rolin që ka pasur edhe në koalicionin e kaluar me të djathtën në vend.

Nga ana tjetër gazetari Arian Çani tha se të dy krerët e opozitës janë të plagosur në këtë betejë të zgjedhjeve lokale, pasi janë dëmtuar, Berisha nga non-grata dhe grupimi brenda partisë së tij dhe Meta që sipas tij pritet të plagose nga çështja e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

Ai shtoi më tej se të dy duhet të luajnë rolin e të plagosurit për ta shfrytëzuar atë sa më shumë kundër kryeministrit Rama, i cili sipas tij ka abuzuar më shumë se duhet me pushtetin për shkak të bullizmit të shfaqur ndaj kundërshtarëve politkë dhe mediave së fundmi.

Zheji:

Shqiptarët do rrinë përpara ekraneve për të zgjedhur një nga tre persona, ku më i riu ka 16 vjet në jetën politike. Mendoj që të gjithë palët kanë në favor të kenë këtë lloj kundërshtie. Nuk ka një surprizë në këto zgjedhje, nuk ka një befasi, si për shembull në Itali që kishte një surprizë në formimin e qeverisë.

Në vend aktorët janë të sprovuar dhe të konsumuar. Në të njëjtën korsi që është Shqipëria janë 3 atletë politikë. Në 2009-ën personazhi që bëri diferencën ishte Ilir Meta me koalicionin me Berishën, ai u bë king-maker. Çfarë ndodh, kemi dy raste ku Meta është king-maker, më pas Rama e çoi Metën në presidencë dhe u tregua i zgjuar. Kemi në 2019-lokalet që u braktisën zgjedhjet dhe vijmë në 2022 me koalicionin e ri.

Pyetja është a do jetë Meta sërish king-maker në këto zgjedhje. Këtu ka ndikimin në zgjedhje, kemi një grup parlamentar të PD që nuk është prononcuar ende, nëse të panjohurat do thjeshtohen do diskutojmë se çfarë ndodh. Problemi është që Meta dhe Berisha japin shpresë por nëse eliminohen këto faktorët e tjerë. Në radhë të parë duhet që koalicioni të jetë i konsoliduar, Meta bëri hap prapa duke respektuar primaret e PD-së, por konsolidoi koalicionin në drejtim të zgjedhjeve.

Këta zotërinjtë kanë një krenari të madhe dhe nuk do dinë të luajnë pjesën e aktrimit e të plagosurit. Rama nga ana tjetër është më modest, i japin rolin dhe e luan. Populli thotë që bisha e plagosur është për jetë a vdekje dhe është shumë e rrezikshme, nëse këta hyjnë në këtë luftë me plan B do humbasin, nëse e heqin nga ekuacioni mund të fitojnë

Çani:

Ka dy opsione, i pari është që nëse këtë herë Rama do vendosi të bëjë zgjedhje të lira sepse është çështje vullneti, mendoj se Berisha dhe Meta kanë shumë shanse që të fitojnë këto zgjedhje lokale, sepse ka shumë faktorë. Unë mendoj se po të mos ketë blerje e patronazhistë, kemi mbi 4 deputetë që anë me vota të blera ashiqare në parlament, por nëse ka zgjedhje të lira Berisha e Meta mund të jenë fitues, edhe pse është e vështirë të përcaktosh fituesin e zgjedhjeve lokale. Nëse qytetet kryesore ndahen mes tyre, opozita ka një shans të mirë. Berisha dhe Meta janë përfaqësues të mentalitetit shqiptar, të dy përfaqësojnë një sjellje publike në shumicën e saj, shto kësaj dhe të pakënaqurit që ka prodhuar qeverisja, mjafton që ky që është në pushtet po qeveris vetëm me 30 mijë vota më shumë, pra koalicioni PD dhe LSI dikur morën shumë vota. Mjafton që Berisha dhe Meta të përdorin mjetet e duhura dhe do kenë shumë shanse, ky është opsioni më ëndërrimtar, sepse besoj Rama do fusë sërish duart për të ruajtur pushtetin.

Veprimtaria e Metës tregon që është i vendosur që koalicioni të funksionojë. Meta dhe Berisha po shkojnë të plagosur në këtë betejë, Berisha nga Amerika dhe pjesa e partisë së vetë, ndërsa Meta pret të plagoset nga dosjet, di të them që të dy janë të plagosur. Gojët e liga thonë që amerikanët i kanë thënë Metës të mos shkojë me Berishën ose do i ndodhë e njëjta gjë. U la të kuptohet se Metës mund t’i vijë nga dita në ditë një sinjal i tillë, mendoj a do jenë në gjendje që të dy të plagosur të shkojnë në këtë betejë dhe njerëzve tu vijë keq për ta. Ata do duhet ta luajnë si duhet këtë pjesë dhe faktor.

Rama po të shohësh hapat e tij po abuzon pak më shumë seç duhet me pushtetin, bullizmi i tij është rritur tejmase, mjafton të shohësh si trajton mediat dhe opozitën dhe kjo mund të bëjë që njerëzit të favorizojnë më të dobëtit. Rama mund dhe të ndryshojë rrugës pasi 14 maji është larg. Këta personazhe nuk është e lehtë t’i zëvendësosh, këta dy figura edhe pse kanë marrë goditje qëndrojnë në këmbë dhe kanë ambicie për zgjedhjet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb