Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka ka deklaruar në Romë se Shqipëria gjatë anëtarësisë në Këshillin e Sigurimit të OKB do të ketë prioritet luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm.

Xhaçka ishte pjesë e takimit të ministrave të jashtëm të koalicionit për shkatërrimin e ISIS që kryesohet nga DASH dhe Italia.

Ajo konfirmoi se Shqipëria do të mbështesë rindërtimin e paqes në zonat e luftës. Përfaqësuesit e 73 vendeve anëtare miratuan deklaratën e përbashkët ku u bëhet thirrje partnerëve të punojnë bashkë kundër çdo forme të rrezikut terrorist si ai që shfaqet nga ISIS.

 

NJOFTIMI NGA MEPJ

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Olta Xhaçka, mori pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Koalicionit Global për shkatërrimin e ISIS (D-ISIS), që u mbajt sot në Romë, nën bashkë-kryesimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Ministrisë së Jashtme të Italisë.

Përfaqësues të lartë të 73 vendeve anëtare në Koalicion shprehën angazhim të mëtejshëm, që, në bashkëpunim të ngushtë me Kombet e Bashkuara dhe me organizata e partnerë të tjerë ndërkombëtarë, të vazhdojnë rritjen e kontributeve humanitare dhe mbështetjen financiare, me qëllim forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në zonat e çliruara dhe parandalimit të ringjalljes së ISIS.

Në ndërhyrjen e saj në ministerial, Ministrja Xhaçka evidentoi rolin, angazhimin dhe kontributin pro aktiv që Shqipëria jep në kuadër të forcimit të paqes dhe sigurisë në botë si dhe nxitjes së bashkëpunimit dhe zhvillimit.

“Vendi ynë e ka luftën ekstremizmit të dhunshëm një ndër prioritetet tona gjatë anëtarësisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për periudhën 2022-2023”, tha ministrja Xhaçka.

Ajo rikonfirmoi mbështetjen dhe angazhimin e Shqipërisë në rindërtimin e paqes në zonat e konfliktit.

Në deklaratën e përbashkët të miratuar sot, u bëhet thirrje partnerëve në Koalicion që të jenë vigjilentë e të punojnë së bashku ndaj çdo forme të shfaqjes së rrezikut terrorist, në çdo rajon të botës, në zbatim të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb