TIRANË- Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi vlerësoi dje ish-kreun e Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në debatin e çelur me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, për kontributin e ish-Presidentit, Ibrahim Rugova në çlirimin e Kosovës.

“Nuk më takon të bëj komente për rolin e Rugovës, pavarësisht se ai padyshim në perceptimin ndërkombëtar u shndërrua në simbol të politikës paqësore të shqiptarëve përballë politikës së egërsisë, genocidit dhe dhunës së serbëve në anën tjetër”, shkroi dje Petro Koçi në “Facebook”. “Por, Fatos Klosi është nga ata burra shteti (që nuk i mungojnë Shqipërisë), i cili luajti një rol të pazëvendësueshëm në bashkërendimin dhe frymëzimin e luftës çlirimtare në Kosovë dhe në ndërlidhjen e kësaj lufte me faktorin ndërkombëtar”, shkroi dje, Koçi.

Sipas tij, “diferenca mes Rugovës dhe Klosit është diferenca mes politikanit dhe luftëtarit. Luftëtar s’do të thotë patjetër të shkrepësh pushkën. Varet nga sa i lidhur dhe sa rol luan në zhvillimin e luftës. Diferenca mes LDK dhe UÇK është ndryshimi mes politikës dhe luftës së armatosur. Nga ana tjetër, gjykoj se pa rolin e UÇK-së, ndërhyrja ushtarake ndërkombëtare do të ishte ndoshta e pamundur”, – u shpreh dje Koçi.

Këto ditë është hapur një debat mes Isa Mustafës dhe Fatos Klosit, qysh pasi ky i fundit figuroi në listën e veteranëve të UÇK-së. Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa deklaroi se: “Kosova nuk do të çlirohej kurrën e kurrës po të varej nga shërbimet informative, siç ishte edhe SHIK-u shqiptar, sepse shërbime të tilla me sjelljen e tyre më shumë u kanë shërbyer regjimeve dhe Serbisë, vëllavrasjes e hasmërive të brendshme, sesa pavarësisë së Kosovës dhe interesave kombëtare”.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: