TIRANE- Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, ka folur lidhur me reformën në drejtësi, duke akuzuar opozitën se po e pengon atë. Koçi shprehet se PD po orkestron një fushatë agresive kundër kësaj reforme, për “shkak të lidershipit të saj të inkriminuar”.

Por sipas Petro Koçit, “drejtues të ndryshëm të institucioneve të tjera të pavarura kushtetuese kane hequr maskën dhe kanë dalë haptazi në aleancën me PD për të rrezuar dhe deformuar reformën në drejtësi”.

POSTIMI I PLOTË
Duket qartë se PD po orkestron një fushatë agresive kundër reformës në drejtësi. Çlirimi i drejtësisë nga kapja politike dhe krimi përbën një kërcenim për interesat politike dhe financiare të lidershipit të inkriminuar të opozitës.

Shembja e status quo-se në funksionimin dhe përbërjen e institucioneve të drejtësisë prek në palcë një komunitet të konsiderueshëm të protagonisteve të këtyre institucioneve. Prandaj këta të fundit i janë bashkuar përpjekjeve antishtet të PD kundër reformës.

Ndërkohe drejtues të ndryshëm të institucioneve të tjera të pavarura kushtetuese kanë hequr maskën dhe kanë dalë haptazi në aleancën me PD për të rrëzuar dhe deformuar reformën në drejtësi.
Nuk përjashtohet as mundësia që edhe brenda mazhorancës të ketë individë që i tremben kësaj reforme për arsye personale.

Pra kemi të bëjmë me një situatë delikate me aleanca të hapura dhe konspirative që tenton të bllokojë materializimin e një aspirate të gjerë qytetare për shtet ligjor dhe drejtësi të pastër.
Mendoj se kësaj aleance duhet t’i përgjigjet me vendosmëri jo vetëm shumica e ligjvënësve progresiste por sidomos komuniteti ndërkombëtar, i cili duhet të kuptojë se oligarkia financiare e politike, krimi i organizuar janë të gatshëm të çojnë Shqipërinë në destabilitet dhe trazira në mënyrë që të ruajnë dominimin mbi jetën publike dhe institucionet e shtetit.

Thirrjet për armatosje të popullsisë civile, planet për të goditur policinë e shtetit, etj; janë dëshmi e një platforme të mirëmenduar në skutat politike të atyre që për të arritur qëllimet përdorin çdo lloj mjeti.

Presioni ndërkombëtar për reformën duhet adresuar me drejtpërdrejtë ndaj atyre që intrigojnë çdo çast për ta penguar atë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: