“Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE”.  Kështu deklaroi  sot zëdhënësja e KE, Maja Koçijançiç në lidhje me vendimin e opozitës për djegien e mandateve.

Ajo shprehet se në Bashkimin Europian pritet që pozita dhe opozita të minimizojnë retorikën e ashpër. Duke folur për protestën e opozitës, Koçijançiç theksoi se protestat paqësore janë një e drejtë legjitime, por aktet e dhunës, që ndodhën të shtunën, zëdhënësja e KE i cilëson si të papranueshme.

“E drejta e qytetarëve për t’u angazhuar në demonstrata paqësore është një element thelbësor dhe një vlerë thelbësore e çdo demokracie të pjekur dhe duhet të garantohet. Sidoqoftë, përdorimi i veprimeve të dhunshme dhe dëmtimi i pronës publike siç u pa të shtunën e kaluar në qendër të Tiranës, nuk janë të pranueshme.

Parlamenti është baza e çdo demokracie europiane – është një vend ku debatet për reformat dhe zhvillimet përkatëse duhet të diskutohen dhe të merren përpara, e jo të bojkotohen. Thirrjet e disa anëtarëve të partive opozitare për të bojkotuar parlamentin dhe për deputetët që të heqin dorë nga mandati i tyre aktual janë kundërproduktive dhe shkojnë kundër përpjekjeve të vendit për zbatimin e reformave të kërkuara nga BE. Presim që qeveria dhe opozita të angazhohen në diskutime konstruktive me qëllim tejkalimin e situatës aktuale politike”, theksoi Kocijancic për ATSH.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb