TIRANË- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli u ka dërguar një letër urimi e inkurajimi të gjithë punonjëseve femra, ushtarake dhe civile, në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

Në nisje të letrës së saj, ministrja Kodheli e konsideron këtë ditë feste, si një ditë reflektimi. “Natyrshëm mendja të shkon tek sakrificat, energjitë dhe ndonjëherë dhimbjet e kaluara pa zë, tek harmonia në familje, tek përpjekja jonë e përditshme për të pasur një karrierë të suksesshme e dinjitoze, tek çdo gjë e bukur dhe e gëzueshme me të cilën fati na ka përkëdhelur”, shkruan ministrja Kodheli në letrën e saj.

“Forca dhe pushteti që ne kemi në duar, për ta bërë botën më të sigurt e më të mirë, është i pafund. Pushteti që ne kemi duhet të na shërbejë për të bërë më të mirën. Vetëm kështu çdo ditë e jetës sonë do të jetë një 8 Mars më vete”, e mbyll letrën ministrja Kodheli. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave vlen të theksohet angazhimi personal i ministres Kodheli për të arritur nivelin prej 15% të përfaqësimit të femrave në Forcat e Armatosura.

Përqindja e femrave ushtarake në Forcat e Armatosura është 13.6%. 7 femra janë në pozicionin e drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm, ndërsa një grua kolonele shërben si përfaqësuese ushtarake në përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit.
Gjatë vitit 2015, nga 300 aplikantë që aplikuan për t’u bërë pjesë e FA, janë përzgjedhur 22 femra ose 7.3 %, kurse ky numër për vitin 2016 është dyfishuar. Numri i personelit femra që kanë përparuar në gradë dhe karrierë është 102 ose 21.08% (nga 466 që janë graduar).
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: