TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka pritur në një takim komandantin e Forcës Tokësore të Turqisë, gjeneral Salih Zeki Çolak, i cili shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në vendin tonë Hidayet Bayraktar dhe atasheu ushtarak, kolonel Bayram Tasci.

Në bashkëbisedim vlerësuan nivelin e lartë të bashkëpunimit mes Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe atyre turke sidomos në fushën e stërvitjes. Ministrja Kodheli falenderoi gjeneral Çolak për ndihmën që qeveria turke ka dhënë për modernizimin e FA shqiptare sa i përket mbështetjes logjistike, armatimit të ri dhe mjeteve të transportit.

Pjesëmarrja në operacionet paqeruajtëse në kuadër të NATO, ishte një tjetër temë e diskutuar në takim. Trupat shqiptare dhe ato turke shërbejnë përkrah njëri-tjetrit në misionin “Resolute Support” në Afganistan. Duke folur për çështjet aktuale të sigurisë, ministrja Kodheli shprehu ngushëllimet për humbjen e jetëve të pafajshme në sulmet terroriste që kanë goditur kohët e fundit disa qytete të Turqisë, duke i dënuar ashpër këto akte.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: