TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, në një konferencë për shtyp deklaron se operacioni i shpëtimit pas zjarrit në anijen “Norman Atlantic” po shkon drejt fundit.

Duke iu referuar një komunikimi me homologen italiane, Kodheli konfirmoi se viktimat janë 5, ndërsa shtoi se të 22 shtetasit shqiptar që ndodheshin në bord u evakuuan.

“Unë dua të falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion sa të vështirë dhe të komplikuar, deti ishte në forcë 7-8 ballë, era e madhe dhe natën që shënoi këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme që më vjen mirë që pothuajse ka përfunduar me evakuimin e 22 shqiptarëve që ishin në bord”, tha ministrja.

Ministrja shtoi më tje se për operacionin e shpëtimit u angazhuan forcat ushtarake të Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.

“Kamandën e drejtoi partneri ynë Italia, në praninë e 3 anijeve luftarake, San Girogo anija që moti komandën. Pjesë e operacionit ishte edhe anija jonë e ruajtjes së kufirit e cila u angazhua 14 orë në operacion, mbrëmë është kthyer dhe e ka zëvendësuar anija tjetër ‘Lisus’ që është ende prezent në operacion”.

Më tej ministrja shtoi se, në qendrat e pritjes po bëhen verifikime për emrat e pasagjerëve në anije.

Ajo shtoi se, “Fati i zhvendosjes së tragetit do vendoset pasi të largohet nga aty edhe pasagjeri i fundit”.

FJALA E PLOTE E MINISTRES KODHELI
Jam sot në këtë komunikim përpara jush, për të ndarë me ju gjithçka ka ndodhur që nga mëngjesi i herët i ditës së djeshme, kur Qendra e Bashkuar Operacionale e Forcave të Armatosura mori njoftimin parë për tragjedinë që po ndodhte në Kanalin e Otrantos.

Sapo jam ndarë nga një komunikim me homologen italiane, Roberta Pinotti, e cila më siguroi për suksesin gjithë evakuimit, duke përjashtuar 50 vetët e fundit, që ndodhen akoma në bordin e tragetit, tashmë të djegur.

Unë dua më së pari të falenderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë operacion sa të vështirë aq edhe të komplikuar. Më së pari, për shkak të situatës tejet të vështirë në të cilin ky operacion është bërë, detin në forcën 7-8 ballë, erën e madhe dhe padyshim, natën që shoqëroi gjithë këtë ndërmarrje të jashtëzakonshme, por që më vjen mirë që ka përfunduar, pothuajse, me evakuimin e të patën e 22 shqiptarëve, që ndodheshin në traget, por padyshim edhe të të gjithë pasagjerëve të tjerë.

Për fat të keq, në informacionin e fundit që kam janë të verifikuar 5 persona që kanë humbur jetën, një qytetar grek dje dhe katër sot. Besoj se më vonë do të kemi të mundur edhe identifikimin e këtyre 4 personave të tjerë, që do t’ua bëjmë prezent.

Komandën e gjithë operacionit ushtarak e drejtoi partneri ynë, Italia, nëpërmjet tre anijeve luftarake, të cilat kane qenë prezent që në orët e para të mesditës së djeshme. “San Giorgo” është anija që mori komandën e këtij operacioni dhe pjesë integrale e operacionit ishte anija jonë luftarake e ruajtjes së kufirit detar “Butrinti”, e cila është ndodhur pranë operacionit për rreth 14 orë në ditën e djeshme dhe është kthyer mbrëmë në një nga bazat tona detare. Ndërkohë që me kthimin saj është nisur për në operacion anija tjetër “Lisus”, e cila edhe në këto momente që flasim është prezent pranë operacionit të përbashkët. Dua në mënyrë të veçantë të falenderoj gjithë djemtë e ekuipazhit për punën e jashtëzakonshme që kanë bërë, qoftë në shuarjen e zjarrit, qoftë në evakuimin e pasagjerëve.

Në të gjitha qendrat e pritjes në Brindizi, Leçe dhe Bari po bëhen verifikimet për të gjithë emrat e pasagjerëve. Kështu që, herë pas herë, nëpërmjet mediave ndërkombëtare, por edhe komunikimit tonë të drejtpërdrejt do të mundësojmë evidentimin e të paktën 22 qytetarëve shqiptarë, të cilët ndodheshin në traget.

Gjatë ditës së djeshme ka pasur një gatishmëri, e cila ka qenë fryt i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare me qeverinë italiane dhe atë greke, ka qenë fryt i bashkëpunimit të komunikimit të drejtpërdrejtë të Kryeministrit Rama me Kryeministrin Samaras, timin personal në komunikim të drejtpërdrejtë me dy homologët, atë italian dhe atë grek dhe të komunikimit të drejtpërdrejtë të ministrit Tahiri me homologun e tij italian.

Po ashtu, gatishmëria ka qenë maksimale edhe përsa i përket porteve, përsa i përket spitaleve, sidomos atij të Vlorës dhe të Durrësit, ku ne kemi pritur në ankth, nëse ata persona që evakuoheshin gjatë gjithë ditën së djeshme dhe gjatë gjithë natës do të mund të vinin edhe në kufijtë shqiptarë. Në fakt, evakuimi nga Forcat Ajrore Italiane është bërë drejt qendrave shëndetësore përgjithësisht të rajonit të Puglia-s, Lecce, Bari, Brindisi. Besoj që kështu do të jetë deri në largimin edhe të pasagjerit të fundit nga trageti, tashmë i dëmtuar.

Fati i zhvendosjes së tragetit do të vendoset mbasi pasagjeri i fundit të mund të largohet nga trageti. Besoj që në një komunikim tjetër do t’ju bëjmë me dije se cili do të jetë fati i tragetit tashmë të braktisur, shpresoj edhe nga pasagjeri i fundit. Është tentuar disa herë që të tërhiqet gjatë natës, nëpërmjet tre rimorkiove italiane që kanë qenë prezent në zonën ngjarjes, por nuk është bërë e mundur për shkak të shkëputjes së kavove që bënin lidhjen midis rimorkiatorëve dhe tragetit të dëmtuar.

Po ashtu është për t’u falenderuar, meqë më jepet rasti, puna e jashtëzakonshme e Forcave të Armatosura, Forcave Detare dhe Forcave Ajrore, por pa dyshim edhe e Rojeve Bregdetare, e Rojeve të Kufirit, e Ministrisë së Transportit, e Ministrisë së Shëndetësisë dhe gjithashtu, e të gjithë atyre spitaleve, qofshin këto publike apo private, të cilët kanë shfaqur gatishmërinë e tyre për t’i ofruar asistencë të dëmtuarve, në rast se kjo mundësi do të jepej.

Uroj dhe shpresoj që kjo ngjarje të mund të jetë një kujtim tashmë i keq, por i larguar nga memoria e ngjarjeve të fundvitit, me shpresën që të gjithë pasagjerët shqiptarë do të kthehen shëndoshë e mirë në atdhe apo pranë banesave të tyre.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: