TIRANE- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli zhvilloi sot një takim me trupat ushtarake të Komandës Mbështetëse që morën pjesë në operacionin për përballimin e situatave të vështira që u shkaktuan nga përmbytjet e ditëve të fundit nga reshjet e shumta që ranë pothuajse në të gjithë vendin tonë. Në fjalën e saj ministrja Kodheli, vlerësoi maksimalisht angazhimin e Forcave të Armatosura në operacionet e emergjencave civile në shkallë kombëtare.

“Është traditë tashmë që ne të jemi pranë qytetarëve në nevojë, në mbështetje të qeverisë dhe shtetit shqiptarë sa herë që ka emergjenca civile, për të qenë pranë qytetarëve në situata të rënduara, në situata me rrezik të lartë për jetën e tyre, për të bërë të pamundurën, natën, ditën, nën ujë, në përmbytje, në zjarre etj”, – theksoi ministrja Kodheli. Duke u ndalur në operacionin e ditëve të fundit për përballimin e situatave të shkaktuara nga reshjet, ajo nënvizoi sidomos bashkërendimin e suksesshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, Forcës Ajrore, Forcave Speciale të Forcës Tokësore me struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Emergjencave Civile, të pushtetit lokal etj, dhe që bënë të mundur realizimin në disa raste edhe të operacioneve të pamundura, në shpëtim të jetës së njerëzve, të pasurisë së tyre, gjësë së gjallë etj.

Ministrja Kodheli, duke iu drejtuar trupave pjesëmarrëse në këtë operacion u shpreh: “Unë thjeshtë dhe pa qenë nevoja të jem as ceremoniale dhe as zyrtare në përshëndetjen time, dua vetëm t’ju rikujtoj që ju jeni pjesa më e mirë e shoqërisë, jeni ata të sakrificës, të devotshmërisë, të zbatimit pikë për pikë të disiplinës ushtarake, ata të të qenit në ballë të të gjithë nevojave e misioneve, qofshin këto kushtetuese apo jo. Ju keni zgjedhur të bëni një profesion që është më fisniku, atë të ushtarakut. Ndaj edhe një herë ju falenderoj nga zemra për veprimin e koordinuar, përgjigjen e menjëhershme që i keni dhënë kërkesës qoftë të qeverisë, qoftë të Ministrisë së Brendshme, qoftë të emergjencave civile, të pushtetit lokal apo qoftë të njerëzve në nevojë, ashtu siç duhet, madje më shumë se aq”. Në mënyrë të veçantë ajo falënderoi komandantin e Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmitr Lokën, për mirëorganizimin me racionalitet dhe të menjëhershëm të veprimeve të trupave dhe mjeteve të angazhuar në operacion sa herë që ato kërkoheshin dhe ishin të nevojshme.

“Ju faleminderit edhe një herë, ju uroj punë të mbarë. Dhe meqenëse nuk jemi parë, jemi akoma në kohë, edhe një vit të mbarë për ju dhe familjet tuaja. Ju faleminderit”, – ka përfunduar përshëndetjen e saj ministrja e Mbrojtjes Kodheli. Më pas, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e shoqëruar nga komandanti i Komandës Mbështetëse, kolonel Fatmir Lokaj, u takua nga afër me oficerët dhe ushtarët që morën pjesë në operacionin për përballimin e situatave të krijuara nga përmbytjet në disa zona të vendit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: