Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në replikë me kreun e LIBRA-s, Ben Blushin, i kujtoi atij se po përdor të njëjtën gjuhë si ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa shprehu zhgënjim për deklaratat dhe sulmet që ai i bën PS, kryeministrit dhe “shokëve”, Kodheli i kujtoi edhe një histori të vjetër, përmes së cilës ka dashur të përçojë mesazhet e saj tek “shoku” i dikurshëm, ndonëse nuk e ndau me publikun atë.

“Po hedh baltë e të shara njësoj si Saliu, ai është origjinali, mllefi i tij është i njohur. Arsyet pse ti sillesh kështu janë të ndryshme. Kam menduar që një ditë do bëhesh politikan serioz, por nuk do ndodh kështu, nuk do dalësh as mbi mesataren, dhe kujt ia bën shokëve të tu prej 20 vitesh. Harron edukatën, harron librin”, iu drejtua ajo Blushit.

Duke u ndalur tek deklaratat e Blushit kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, Kodheli e këshilloi Blushin të kishte kujdes.

“Ajo historia e dikurshme, kam menduar që ishte një moment, por vazhdon ta përsërisësh por ki kujdes mund të biesh sërish në gabim. Pyes veten, pyes edhe publikun si s’të kam parë në gjithë këto vite të ulësh të shkruash një ligj 5 pika, 5 fjalë? Ke shkruar 5 libra po, por për veten tënde. Mendoj se duke mos mundur ta bësh këtë gjë nuk ke bërë asgjë për popullin, duke u marrë me kolegët nuk ke bërë dot shumë gjëra. Të këshilloj të bësh një gjë, por ta bësh mirë dhe këtë nuk e bën duke u marrë me ne”,- vijoi ajo.

Më tej Kodheli deklaroi se Blushi jo vetëm që nuk ka mbështetës, por ka mbetur edhe pa miq.

“Unë them që ne jemi në rrugë të drejtë, do ta fisnikërojmë vendin. Është e drejta e gjithkujt të tentojë të bëhet udhëheqës, por që të bëhesh duhet të kesh dy gjëra: të kesh ndjekës dhe shokë, t’i nuk ke shok nuk ke as edhe një. E vështirë që do bëhesh ndonjëherë udhëheqës i PS, në libra po, në realitet lum kush beson pa prekur e pa parë çfarë do jesh në gjendje të bësh. Sot më zhgënjeve sërish, kam besuar tek inteligjenca jote. Me keqardhje për ty, ke rënë në batakun e Saliut. Shpresoj mos të jetë vonë”,- shtoi Kodheli.

REPLIKON BLUSHI
I menjëhershëm ka qënë edhe reagimi i deputetit Blushi, që i tha ministres Kodheli që edhe ajo, ashtu si Lindita, Arbeni apo Ditmiri ishte zgjedhur nga Rama për ta sulmuar. Blushi iu drejtua asaj me fjalë “Ç’farë pate Mimi? Dole sot dhe bëre hartim kundër meje, se ai nuk pati nuk pati guxim”
E duke u ndalur tek shokët, Blushi u shpreh se ata që nuk i ka më shokë i ka humbur në momentin që kanë nisur të vjedhin, duke e akuzuar ministren se ka shokë të tillë.
“I njeh t’i Mimi shokët e mi?! Unë kam edhe shok e shoqe, t’i që del në parlament dhe flet unë po të them se kam shumë shokë, ata kanë një të mirë, nuk vjedhin. Nuk kam shokë që vjedhin, ti ke në atë qeveri. Kam pas shokë, ditën që filluan të vjedhin nuk i kam më. Si e fitoni jetën ju duke ardhur në parlament të merreni me mua? Apo me ryshfete? Nuk e fitoni jetën në mënyrë të ndershme, shkruan një hartim për NATO-n ti dhe vjen na e lexon këtu”, replikoi Blushi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: