TIRANË- Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo, inspektoi sot Komandën e Forcës Tokësore në prag të stërvitjes “Biza-15”, e cila hap siparin e saj në fillim të javës që vjen.

Në fokusin e takimit ishin diskutimet rreth përgatitjeve që janë bërë për zhvillimin me sukses të stërvitjes fushore “Biza-15,” e cila do të startojë më 7.9.2015.

Ministrja e Mbrojtjes, Kodheli, kërkoi informacion nga Komanda dhe Shtabi i FT për punën që është bërë dhe mangësitë e konstatuara gjatë procesit të planizimit të kësaj stërvitje, si dhe për masat që janë marrë për zhvillimin e saj. Gjithashtu, ministrja Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo, u njohën me masat e marra për stërvitjen, personelin e angazhuar në të, si dhe me qëllimin që ka kjo stërvitje e madhe fushore me pjesëmarrje të lartë trupash dhe mjetesh.

Në vijim, ministrja Kodheli së bashku me gjeneralmajor Bazon inspektuan trupat e Batalionit të Dytë të Këmbësorisë dhe panë nga afër përgatitjet e tyre për stërvitjen “Biza-15”. Në përfundim të këtij inspektimi, ministrja Kodheli shprehu mirënjohjen për përgatitjen dhe përkushtimin e këtyre efektivave, si pjesë e repartit më elitë të Forcës Tokësore.

Ministrja Kodheli, në fund të takimit priti një ekip trajnuesish të Regjimentit të “Welsh Guards” i Forcave të Armatosura Britanike, i cili do të dislokohet në Bizë dhe do të ndjek këtë stërvitje.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: